Lajme Shqip Sunday, 07 July 2013 17:48

Prishtinë – Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës dhe njëherë kryetar i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, duke komentuar gjendjen, sipas tij, aspak të mirë në kryeqytet, ka thënë se Prishtina nuk duhet të jetë peng i njerëzve të paditur dhe të korruptuar. Sipas Pacollit, për këtë situatë, fajin nuk e ka vetëm kryetari i saj, Isa Mustafa por edhe Qeveria e Kosovës, e cila prej vitesh nuk ka miratuar ligjin për Prishtinë.

Pacolli gjatë një interviste për Agjencinë e Lajmeve Kosovapress, ka premtuar se aktiviteti i tij lobues për shtimin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës do të vazhdojë dhe se vendi ynë, deri në fund të këtij viti do të arrij numrin e mbi 110 njohjeve.

Ditë më parë, pas kritikave të zëvendëskryeministrit, Pacolli për menaxhimin e kryeqytetit, kreu i Prishtinës, Isa Mustafa, i ka preferuar atij se mund ta lëshoj kryeqytetin dhe të shkoj diku tjetër. Menjëherë i është kundërpërgjigjur Pacolli duke thënë se ai ka ku mund të jetoj, por që Prishtina nuk duhet të jetë edhe më tutje nën menaxhimin e njerëzve të paditur dhe të korruptuar.

“Ju garantoj qytetarëve të Prishtinës se po të ishte një njeri i cili do të kishte vullnetin dhe diturinë se Prishtina është minierë e parave dhe Prishtina nuk e meriton këtë gjendje që e ka sot. Prishtina nuk mundet me qenë peng i njerëzve të paditur, Prishtina nuk mundet me qenë peng i njerëzve të korruptuar, Prishtina nuk mundet me qenë e njerëzve që nuk kanë vullnet për të vepruar e ndryshuar gjendjen”, ka theksuar Pacolli.

Për këtë gjendje, sipas tij, fajin nuk e ka vetëm kryetarit Isa Mustafa, por gjithë struktura e udhëheqjes dhe Qeveria e Kosovës, e cila nuk ka miratuar Ligjin për Prishtinën.

“Unë nuk e kam drejtuar këtë tek profesori Mustafa, tek profesori i nderuar. Unë kam marrëdhënie të mira dhe e respektoj Isën. Ka qenë në familjen time dhe shkoj në familjen e tij por Prishtina dhe anët e Prishtinës kalojnë mbi respektin njerëzor që e kam unë për profesorin. Por profesori nuk është i vetmi që ka qeverisur me Prishtinën dhe ai si kryetar i komunës nuk është i vetmuar aty. Unë flas për krejt njerëzit e tij, por nëse është gabim edhe Qeveria e Kosovës e cila nuk ka mundësuar Ligjin për Prishtinën. Edhe këta janë fajtor. Çdo kush që ka vepruar te Prishtina, nuk ka vepruar mjaftueshëm që Prishtina të jetë një qytet i dashur për të”, ka theksuar zëvendëskryeministri Pacolli.

Numri dy i ekzekutivit të vendit i cili merret edhe me lobimin për shtimin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës, ka thënë se aktiviteti i tij lobus do të vazhdojë duke shtuar se deri në fund të vitit Kosova do të ketë mbi 110 njohje.

“Unë gjithmonë kam thënë se lobimi është një punë kompleksive, nuk është një gjë që të shkosh të marrësh dhe të materializosh atë, por është një mori punësh që duhet pas shumë vizitash, sepse duhet lobim edhe tek vet shteti dhe institucioni i atij shteti. Kështu që puna nuk ka munguar. Unë besoj se është bërë punë dhe besoj se këtë vit jam i sigurt që do të kemi mbi 110 njohje”, është shprehur ai.

E ideja e Pacollit për të ringjallur gjigantin Trepça, nuk parasheh privatizim apo koncesionim, por bashkëpunimin me ndonjë kompani nga jashtë për të zhvilluar këtë ndërmarrje.

“Trepça nuk duhet të privatizohet, Trepça nuk ka mundësi reale të privatizohet për arsye se nuk ka mundësi askush të jap një çmim nominal. Nëse gjendet një kompani e cila do të vinte me një çmim atraktiv disa miliardësh ne na nuk konvenon ajo, për arsye se në tregun e metaleve ka njëfarë konjukture e cila e dikton edhe vet punën e minierave. Miniera nganjëherë duhet të ndalet, për disa muaj në mënyrë që të ndikosh, në ofertën dhe kërkesën e mineraleve për arsye të rritjes së çmimit të caktuar që i konvenon minierës”, ka deklaruar zëvendëskryeministri Pacolli.

Ai ka shtuar se pret reagimet, por edhe idetë nga të tjerët për Trepçën në mënyrë që në këtë kompani të nis mbarë zhvillimi i saj.