Lajme Shqip Saturday, 20 August 2011 16:45

Prishtinë – Zv/kryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, pas vizitave në shtetet e Afrikës Perendimore, të hënën me 22 gusht, do të udhëtojë për në shtetin e Gabonit, ku do të pritet nga Presidenti i këtij vendi, Ali Bongo Ondimba.

Pacolli, sipas zyrës së tij, gjatë takimit me presidentin Ondimba, do të prezentojë argumentet e nevojshme për njohjen e Republikës së Kosovës nga Republika e Gabonit. Këtyre argumenteve, zëvendëskryeministri Pacolli do t’u shtojë edhe opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në raport me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Turneu lobues i Pacollit në kontinentin afrikan do të vazhdojë edhe më tej, me vizitat e parapara në Kongo Brazavil dhe në Republikën Demokratike të Kongos.

Kosovës këtë javë i kanë arritur tri njohje nga kontinenti afrikan(Guinea Conacry, Benin dhe Niger) dhe një nga Amerika Qëndrore (Shën Lucia), duke ngritur kështu numrin e njohjeve në 81.