Lajme Shqip Saturday, 03 December 2011 09:20

Prishtinë – Zv/kryeministri i parë i qeverisë kosovare, Behxhet Pacolli, u takua sot në Uashington me zv/ndihmëssekretarin e Departamentit Amerikan të Shtetit, Philip Reeker, të cilin e njohu me zhvillimet në Kosovë, veçanërisht në veri, dhe me aktivitetin e tij diplomatik për njohje të reja.

Z. Riker u interesua për shumë çështje, si për stabilitetin institucional, për zhvillimin ekonomik, marrëdhëniet ndëretnike, si dhe për mbarëvajtjen e procesit të njohjeve të Kosovës, thuhej në një njoftim për shtype zyrës së zv.kryeministrit. Sipas idesë së Pacollit, nxitja e zhvillimit ekonomik në veri, e ndërlidhur me pjesët tjera të Kosovës, është çelësi i zgjidhjes së problemeve atje.

Ai, shtoi se, Republika e Kosovës është e vendosur që në mënyrë konstruktive dhe në koordinim të plotë me SHBA-në dhe vendet aleate të BE-së, të gjejë rrugëdaljen nga kjo gjendje, e cila është e papranueshme për lirinë dhe demokracinë.

Riker, sipas njoftimit nga zyra e zv/kryeministrit Pacolli, ishte në të njëjtën linjë sa i përket zgjidhjes së problemit të veriut nëpërmjet formulave ekonomike, duke hedhur poshtë çfarëdolloj mundësie të negocimit për ndarje të Kosovës.

Zv/ndihmëssekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Philip Reeker, vlerësoi lart angazhimin e zv/kryeministrit Pacolli në fushën e lobimit, duke e inkurajuar dhe ofruar mbështetje në vazhdimin e këtij misioni të rëndësishëm për Republikën e Kosovës.