Lajme Shqip Wednesday, 27 July 2011 07:31

Prishtinë – Topi është në anën e Serbisë, ka thënë zv/kryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, gjatë një vizite, dje në Gjakovë, ku ka komentuar zhvillimet e fundit pas vendimit të kryeministrit Hashim Thaçi për dërgimin e njësive speciale në pikën 1 dhe 31 në veri të Kosovës.

“Dërgimi i forcave speciale të Policisë së Kosovës në veri ka vetëm një qëllim, që të vendosim rendin dhe ligjin në atë pjesë të Kosovës, t’u sigurojë qytetarëve atje, pa dallim, një jetë të qetë dhe pa brenga dhe të implementojë vendimin e qeverisë së Kosovës për zbatimin e masës së reciprocitetit me shtetin serb”, ka thënë ai. “Prandaj çdo tentativë për t’i dhënë kahje tjetër këtij aksioni nga kushdo është e pa akceptueshme”, ka shtuar Pacolli.

“Kosova është shtet, ky është një fakt që shumë mirë e dinë serbët dhe si i tillë po funksionon”, ka theksuar ai. “Topi është në anën e Serbisë. Në momentin që ata heqin bllokadën, të cilën e kanë zbatuar që nga viti 2008, atëherë të njëjtën gjë do ta bëjmë edhe ne”, ka shtuar Pacolli.

“Veprimet tona janë konform Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kushtetutë kjo e cila për ne është e shenjtë”, ka thënë zv/kryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës Behgjet Pacolli.