Lajme Shqip Thursday, 31 March 2011 19:04

Prishtinë – Presidenti i Kosovës Behgjet Pacolli deklaroi se nuk ka nevojë të japë dorëheqje të funksionit, por vetëm se largohet nga Kabineti.

“Nuk ka nevojë për dorëheqje, unë largohem nga Kabineti i presidentit dhe procesi do të fillojë prej në zero. Nuk jam i sigurt nëse përsëri do të kandidohem për president, për atë vendos koalicioni. Do ta respektoj vendimin e tyre”, deklaroi ai për mediat e Prishtinës.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi se gjatë kohës së zgjedhjes së Pacollit, në Kuvend është shkelur procedura sepse nuk ka pasur kundërkandidat dhe kourum prej dy të tretat e deputetëve në dy raundet e para të votimit.

“Unë nuk e kam shkelur Kushtetutën, unë jam viktimë e Kushtetutës dhe do ta respektoj vendimin e gjykatës”, shtoi ai.

Nga ana tjetër, Ibrahim Gashi, këshilltar i Pacollit, tha se Pacolli përsëri do të kandidohet për funksionin e presidentit.

“Konsiderojmë se Kuvendi i Kosovës është organi më kompetent i cili së shpejti do të ndërmarrë hapa në vijim”, tha Gashi. Kryeministri Hashim Thaçi dje tha se pret që zgjedhja e presidentit të jetë para Kuvendit javën e ardhshme.