Lajme Shqip Thursday, 14 April 2011 13:45

Prishtinë – Behgjet Pacolli shumë shpejt pritet t’i kthehet postit të kryetarit të Aleancës Kosova e Re.

Këshilli Drejtues i kësaj partie do të vendosë për kthimin e Pacollit në krye të partisë, pasi që vendimi i Gjykatës Kushtetuese për procedurën e zgjedhjes së Pacollit në postin e presidentit dhe dorëheqja e këtij të fundit nga kandidatura për president, ka krijuar rrethana të reja edhe në organizimin e brendshëm të AKR-së.

Menjëherë pasi Pacolli kishte dhënë dorëheqje nga kreu i partisë, më 22 shkurt, kur ishte zgjedhur president i vendit, Këshilli Drejtues i AKR-së kishte vendosur që të mbajë kuvendin e jashtëzakonshëm zgjedhor më 16 prill, mirëpo zhvillimet e mëtejme rreth zgjedhjes së presidentit, kanë krijuar rrethana të reja.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të AKR-së, Ibrahim Makolli tha se pas tërheqjes së Pacollit nga kandidatura për president, është parë i panevojshëm kuvendi i jashtëzakonshëm zgjedhor, duke pasur parasysh faktin që edhe ashtu kuvendi i rregullt do të mbahet në fillim të vitit 2012.

Ai nuk ka dashur të prejudikojë se cili do të jetë vendimi i Këshillit Drejtues, por ka thënë se në bazë të statutit të partisë, ai është autoriteti më i lartë brenda dy kuvendeve zgjedhore, i cili ka po ashtu disa kompetenca të kuvendit dhe mund të kthejë prapa dorëheqjen e Pacollit.

Ndryshe, nga 22 shkurti i këtij viti, kur Behgjet Pacolli u zgjodh president i Kosovës në një procedurë e cila më vonë nga Gjykata Kushtetuese u konsiderua si jokushtetuese, AKR-ja është me ushtrues të detyrës së kryetarit, të cilin e ushtron nënkryetari Ibrahim Makolli.Pasi që zgjedhja e Pacollit president i Republikës u kontestua dhe u zgjodh presidentja e re Atifete Jahjaga, Pacolli u emërua zëvendëskryeministër i parë në Qeverinë e Kosovës dhe në këtë mënyrë i është krijuar mundësia që sërish të kthehet në krye të partisë së tij.

Pacolli ishte larguar nga posti i kryetarit të partisë që ditën që ka marrë postin e presidentit të cilin e ushtroi për 35 ditë, duke i ikur kështu çfarëdo mundësie të shkeljes së Kushtetutës, gjë të cilën paraardhësi i tij Fatmir Sejdiu nuk ishte treguar i kujdesshëm që ta bëjë, por që i kushtoi me humbjen e të dyja posteve, edhe të presidentit të vendit edhe të kryetarit të LDK-së.