Lajme Shqip Tuesday, 02 July 2013 09:41

Prishtinë – Kryetari i Aleancës Kosova e Re dhe zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli ka vazhduar kritikat në drejtim të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherit kryetarit të Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa.

Pacolli i ka sugjeruar Mustafës që të zgjidh sa më shpejt që mundet problemin dhe kaosin në Prishtinë dhe dështimet e tij dhe paraardhësve për t’u siguruar një jetë më të mirë qytetarëve të Prishtinës.

“Nuk është hera e parë i nderuari Kryetar që JU ofroni si zgjidhje të problemeve tua largimin e kritikëve. Lagjet e Prishtinës të cilat duken si rrugë të Kabulit, pa asfalt, pa ujë, me gropa dhe pluhur nuk mbulohen nga ikja ime. Puna ime flet pa folur unë dhe ashtu do të duhej të ishte edhe për JU, por ju doni të na verboni të mos shohim paaftësitë e administratës tuaj apo të na largoni të mos flasim për shëmtinë e Prishtinës”, ka shkruar Pacolli në një status të tij në facebook.

“Për dallim nga shumica e bashkëqytetarëve tonë, unë kam ku të shkoj, POR nuk kanë ku të shkojnë ata të cilët nuk kanë ende sot ujë, asfalt dhe vend ku mund të ndihen të sigurt për jetën dhe sigurinë e fëmijëve të tyre. Ato janë dështimet tua dhe të administratës tënde Kryetar dhe përkundrejt respektit njerëzor që ka për JU më befasoni me verbërinë për të parë shëmtinë për të cilën JU keni kontribuar për dy mandate të plota”, ka thënë Pacolli.