Lajme Shqip Wednesday, 30 March 2011 07:30

Prishtinë – Derisa sot pritet të bëhet publik dhe t’i dorëzohet edhe zyrtarisht vendimi nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë se do ta respektojë atë vendimin.

Pacolli i bëri këto komente pasi që Gjykata Kushtetuese e vlerësoi si të pranueshme ankesën e LDK-së dhe AAK-së lidhur me mënyrën e zgjedhjes së presidentit të Kosovës, duke vlerësuar kështu se vendimi për zgjedhjen e tij ka qenë jokushtetues.

“Ende nuk e kam marrë vendimin e gjykatës lidhur me mënyrën e zgjedhjes së presidentit të Kosovës. Besoj se do të njoftohem zyrtarisht me këtë vendim. Sidoqoftë, ashtu siç kam deklaruar edhe më parë, unë do ta respektoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar presidenti Pacolli.

“Është fat që e kemi Gjykatën Kushtetuese dhe e përsëris se unë do ta respektoj vendimin e saj, pikë për pikë. Sepse, Gjykata Kushtetuese është e shenjtë dhe duhet të respektohet”, tha presidenti i Kosovës, i cili pas vendimit të gjykatës se procedura e zgjedhjes së tij ishte jokushtetuese, do të detyrohet të jep dorëheqje nga pozita e presidentit ose do të iniciohet procedura e shkarkimit nga ana e Kuvendit të Kosovës.

Është përfolur edhe opcioni që të ripërsëritet votimi për zgjedhjen e tij në Kuvend.