Lajme Shqip Friday, 11 September 2015 16:35

Behgjet Pacolli president i firmës Mabco ka reaguar pasi Gjykata Kushtetuese ka shpallur të papranueshme kërkesat për Grand Hotelin duke thënë se do të kërkoj drejtësi ndërkombëtare. Ai ka shpjeguar se me atë vendim është legjitimuar krimi që iu bëhet investitorëve të huaj në Kosovë.

Ish-zevendëskryeminsiti Pacolli ka thënë se është e pakuptimtë se si Apeli e ka kthyer në rigjykim rastin për Hotelin Grand në Prishtinë dhe si rezultat i gjendjes së krijuar ky hotel vazhdon të jetë model i së keqes në Prishtinë.

“Siç keni njohuri kompania ime Mabco në Zvicër, për hotelin Grand ka investuar mbi 5 milionë, por jo për ta privatizuar nga AKP-ja. Blerësi i këtij hoteli, që nuk ishte në gjendje të paguajë shumën për privatizimin e hotelit Grand, i lutet firmës time që t’i blej 60 për qind të aksioneve. Kompania ime e ka paguar këtë shumë, e cila ka shkuar në AKP (ata e kanë verifikuar pagesën e cila është kryer nëpërmjet bankave zvicerane). Pra, Mabco (Mabetex Construction) ishte bashkëblerës dhe investitori kryesor (pasi që me mjetet e veta kishte marrë obligimin të investojë 39 milionë euro në ngritjen e këtij hoteli ku do të siguroheshin pos të tjerash edhe mbi 1000 vende pune)”, ka sqaruar Pacolli.

Sipas tij, në bazë të kontratës, Mabco iu drejtua disa herë Agjensionit të Privatizimit (AKP) që të zyrtarizojë këtë. AKP-ja thotë Pacolli e nxitur nga qarqe kriminale, qëllimshëm nuk ka reaguar ndaj kërkesave për të njohur zyrtarizuar këtë kontratë.

“Bandat në Kosovë e nxitën Zylqif Berishën që më vonë të mos e njohë fare këtë kontratë, mirëpo nga ana tjetër kishte inkasuar mbi 5 milionë e 100 mijë euro. Mabco e dërgoi çështjen në Gjykatë dhe shkalla e parë vendosi në favor të drejtësisë. Pas ndikimeve nga bandat, në mënyrë të pakuptimtë Apeli e ktheu çështjen në rigjykim dhe pas kësaj, asnjë gjyqtar nuk pati më guximin që të trajtojë çështjen në mënyrë të drejtë në përputhje me ligjin. Mabco shfrytëzoi të drejtën që nëpërmjet Gjykatës të ngrisë masën e sigurisë, në mënyrë që asgjë të mos ndërmerret ndaj Grandit përderisa të shterohen mundësitë ligjore. Kjo masë gjyqësore edhe tani është në fuqi”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facbook.

Pacolli ka treguar se gjatë kësaj periudhe, ka pasur kërkesa edhe për korrupsion për të zgjidhur çështjen e Grandit. “Persona të lidhur me krimin, kanë kërkuar mito prej 3.6 milionë euro për çështjen e Grandit në mënyrë që AKP ta zyrtarizonte kontratën. Mabco e ka denoncuar këtë rast menjëherë te organet e drejtësisë duke I paraqitur dëshmitë, por si gjithmonë në Kosovë, ky denoncim nuk u trajtua. Mabco kishte dhënë garancionin bankar mbi 20 milion euro për investime, kishte bërë projektin e detajizuar për këto investime, ashtu siç kishte kërkuar AKP (kërkesa për garancinë bankare të investimeve ishte rast unik dhe nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë)”.

Përkundër faktit që Mabco përmbushi të gjitha kërkesat , dhe pas asaj që u refuzua dhënia e mitos prej 3.6 milionë euro, AKP vendosi sipas shefit të tyre dhe si hakmarrje, e tërhoqi Grandin.

“Si rezultat i gjithë kësaj, edhe sot e kësaj dite Grandi vazhdon të jetë yrnek i së keqes në qendër të Prishtinës, duke privuar mijëra njerëz nga e drejta e tyre për të punuar. Edhe në Gjykatën Kushtetuese u pa se dora e zgjatur e krimit duke u maskuar me hijen e spekulimeve ndikoi në këtë vendim skandaloz. Mabco mund ti humb paratë që ka paguar për Grandin dhe për të kjo humbje është relative, por asnjëherë nuk do të ndalet duke kërkuar drejtësi. Që nga sot, Mabco ka marrë rrugën ndërkombëtare të kërkimit të drejtësisë. Ky shkrim, thjesht ka karakter informimi për qytetarët e Kosovës, se sa I fortë është rrjeti I krimit të organizuar në këtë vend”, thotë politikani që nuk ka mundur të hyjin në parlament.

Pacolli thekson si të tmerrshme gjendje në të cilën gjendet Kosova.