Lajme Shqip Monday, 12 March 2012 09:00

Zyra e zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar në lidhje me shkrimin botuar në gazetën “Zëri”, “Një milion, një njohje”, botuar me datë 10 mars 2012.

“Zyra e zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, zotit Behgjet Pacolli, e sheh si të nevojshme që të japë disa sqarime dhe korrigjime, të cilat do t`i shërbejnë informimit të drejtë të opinionit publik”, thuhet në reagimin e kësaj zyre, ku potencohet se Pacolli aktivitetin lobues për njohjen e Republikës së Kosovës e ka filluar që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, pra që nga koha kur ishte në opozitë.

“Sukseset e këtij angazhimi të zotit Behgjet Pacolli nuk kanë munguar dhe për këtë, opinioni publik i Kosovës është i informuar. Titulli “Një milion, një njohje”, në gazetën “Zëri”, konsiderojmë se është i gabuar, dhe për këtë jemi të detyruar që të japim informacionet korrigjuese:Që nga marrja e detyrës si zëvendëskryeministër i parë i Qeverisë së Kosovës, aktiviteti lobues i zotit Behgjet Pacolli i fokusuar në Afrikë, për shkak të pamundësisë së depërtimit të institucioneve të Kosovës deri në këtë kohë atje, ka rezultuar mjaft i suksesshëm, duke i sjellë Kosovës 9 njohje, brenda 10 muajve.

Gjithë këto angazhime të zotit Behgjet Pacolli në lobim kanë qenë të mbuluara ekskluzivisht me buxhetin e tij privat dhe deri më tani asnjëherë nuk kanë qenë barrë e buxhetit të institucioneve të Republikës së Kosovës.

Zyra e zëvendëskryeministrit Pacolli në vazhdimësi është e gatshme të ofrojë transparencë, duke ofruar qasje në të gjitha angazhimet institucionale të zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli në lobimin për njohjen e Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.