Lajme Shqip Saturday, 19 March 2011 13:41

Prishtinë – Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, priti të shtunën Edmond Haxhinaston, zv/kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë.

Temë e bisedimeve ishte rritja e koordinimit për më shumë efikasitet në nivelin shumë të mirë të bashkëpunimit dhe u shpreh angazhimi që Kosova të mos mbetet jashtë nismave të ndryshme rajonale.
Presidenti Pacolli falënderoi popullin dhe institucionet e Republikës së Shqipërisë për gjtihë atë që kanë bërë dhe po bëjnë për popullin dhe shtetin e Kosovës dhe e njoftoi mbi gjendjen e përgjithshme në vend, periudhën e rëndësishme që po kalon Kosova në shumë sfera, angazhimet e institucioneve të vendit etj. 
Ai e falënderoi ministrin Haxhinasto dhe pararendësit e tij për punën shumë të madhe që kanë bërë për sigurimin e një numri sa më të madh të njohjeve për shtetin e ri të Kosovës. 
Pacolli shfaqi shpresën se “diplomacia e Shqipërisë do të vazhdojë të punojë në këtë fushë dhe do të shtojë edhe më shumë angazhimet” dhe theksoi nevojën e krijimit të një axhende të përbashkët, në mënyrë që Kosova të shtojë  numrin e njohjeve, të arrijë më shpejt të bëhet pjesë e mekanizmave ndërkombëtarë, synim i përhershëm i popullit dhe institucioneve të Kosovës.
Në planin e bashkëpunimit ndërshtetëror, Presidenti Pacolli përsëriti idenë e krijimit të kushteve për lëvizjen e lirë të njerëzve, ideve e mallrave, duke jetësuar në këto hapësira idenë e Minishengenit, në të mirë të lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe parapërgatitje për integrimin më të shpejtë në familjen evropiane.
Ai i kushtoi një rëndësi të madhe bashkëpunimit ekonomik, ku ka mundësi dhe nevojë që të krijohen lehtësira të tjera për bizneset mes dy shteteve, por edhe të rajonit.
Edmond Haxhinasto, zv/kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Shqipërisë përgëzoi Presidentin Pacolli për zgjedhjen në detyrën e re, duke i përcjellë edhe urimet e Presidentit Topi dhe të Kryeministrit Berisha.
Haxhinasto theksoi se “të dy shtetet tona kanë nivel shumë të mirë bashkëpunimi, por koordinimi më i madh do të shtojë edhe më tej efikasitetin e bashkëpunimit”, ndërsa theksoi angazhimin e Shqipërisë që Kosova të mos mbetet jashtë nismave të ndryshme rajonale.
Duke folur për procesin e njohjeve, Haxhinasto tha se “Shqipëria do të vazhdojë lobimin për të siguruar sa më shumë njohje dhe, në këtë plan, në bashkëpunim me institucionet e Kosovës, do të hartohet një program i përbashkët i veprimit në këtë fushë”.
Ai gjithashtu tha se të dy vendet mund të shtojnë edhe më tej bashkëpunimin ekonomik, i mundësuar tashmë edhe nga infrastruktura rrugore dhe veprimet e përbashkëta në fusha të tjera që do të mundësojnë një shkallë më të lartë të bashkëpunimit.
Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve Jashtëm i Republikës së Shqipërisë,  Edmond Haxhinasto mbërriti dje në mesditë në Prishtinë, në vizitën zyrtare dyditëshe, me ftesë të ministrit Kosovar  të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.
Pas takimit me ministrin Hoxhaj, ai vijoi takimet me kryeministrin  Hashim Thaçi, zv/kryeministrin dhe ministrin  e Pushtetit Lokal, Slobodan Petroviç i komunitetit serb, kryetarin e Kuvendit Jakup Krasniqi, si dhe drejtuesit e partive, LDK-së, Vetëvendosjes e AAK-së. 
Sot ditën e dytë të vizitës, Haxhinasto e filloi me audiencë tek Presidenti Behxhet Pacolli dhe sipas axhendës së njoftuar nga MPJ kosovare, vazhdon me Homazhe te varri i ish-Presidentit Rugova, vizitë në familjen Rugova, për t’u nisur pastaj drejt Prekazit për vizitë në memorialin dhe familjen Jashari.