Lajme Shqip Saturday, 23 July 2011 15:47

Prishtinë – Zv/kryeministri Behgjet Pacolli, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila dhe ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi të shtunën kanë vizituar pikën doganore 1 dhe 31 në veri të Kosovës, për të inspektuar nga afër ecurinë e zbatimit të masave të reciprocitetit për mallrat serbe.
Drejtuesit qeveritarë kanë theksuar se masat e reciprocitetit kanë ardhur pasi që Serbia qysh para tri vitesh kishte bërë veprime të tilla ndaj Kosovës.
Me këtë rast, ministrja Kusari-Lila ka thënë se në pikat doganore me Serbinë nuk vërehet ndonjë fluks i madh i kamionëve me mallra që tentojnë të hyjnë në Kosovë.
“Për rrugët ilegale nuk mund të them asgjë, mirëpo zyrtarisht fluksi ka rënë tepër edhe në pikën 1 dhe 31 të veriut. Po them edhe një herë se ishim atje vet personalisht, kemi inspektuar dhe kemi parë se nuk është një situatë shqetësuese në raport me mallrat serbe”, ka thënë ajo.
Kusari-Lila bëri të ditur se është duke u diskutuar edhe lidhur me atë se çfarë do të ndodhë me 8 kamionët e mbetur në Merdare.
Por ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi tha se policia nuk do të lejojë që kamionët të cilët kanë mbetur në territorin e Kosovës ta bllokojnë rrugën, ashtu siç është paralajmëruar.
“Çka është në territorin e Kosovës, policia do të bëjë zhbllokimin dhe nuk munden të bllokojnë rrugën. Kjo i kap interesat personale të individëve, por ajo nuk do të jetë pengesë për të gjithë, sepse nuk do të lejohet bllokimi i rrugëve”, ka thënë Rexhepi.