Lajme Shqip Friday, 08 April 2011 12:40

Prishtinë – Behgjet Pacolli, në një intervistë për “Klan Kosova”, ka treguar prapaskenat e emërimit të Atifete Jahjagës për presidente të Vendit.

Pacolli ka thënë se emri i saj para kryeministrit Hashim Thaçi dhe kryetarit të LDK-së Isa Mustafa është paraqitur në një zarf nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Cristofer Dell.

Kur ambasadori amerikan Cristofher Dell kishte nxjerrë nga zarfi emrin e Atifete Jahjagës për ta propozuar për presidente, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa kishin mbetur të habitur. Këtë e kishte bërë në shtëpinë e tij ku si mysafir i kishte dy liderët e partive më të mëdha në Kosovë si dhe Behgjet Pacollin, i cili kishte negociuar arritjen e marrëveshjes që dje zëvendësdrejtoreshën e Policisë së Kosovës e solli në postin më të lartë të shtetit – presidente të Republikës.

Prapaskenat e arritjes së marrëveshjes për ndryshime kushtetuese, zgjedhore dhe për caktimin e afateve për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare ndërmjet kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i ka shpjeguar të enjten sebepi i kësaj marrëveshjeje, Behgjet Pacolli, i cili udhëhoqi vendin për 35 ditë.

Në intervistë, Pacolli ka folur për ditët e tij si president, mosmarrjen e ftesës për të qenë i pranishëm me rastin e votimit të Atifete Jahjagës për presidente dhe negociatat për daljen nga ngërçi politik që kishte hyrë vendi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që konstatoi se zgjedhja e Pacollit president nga ana e Kuvendit ishte bërë në kundërshtim me aktin më të lartë juridik të vendit.

Pasi Pacolli kishte konfirmuar në shtëpinë e ambasadorit amerikan, se tërhiqet nga gara për shkak të irritimit që kishte përjetuar nga deklarata e Isa Mustafës, i cili i kishte thënë se nuk i garanton vota, ndonëse kishte thënë se do të jetë i pranishëm në seancën e votimit, Kristofer Dell kishte nxjerrë emrin e Atifete Jahjagës nga një zarf për t’ua propozuar kandidaten për presidente.