Lajme Shqip Thursday, 07 February 2013 17:30

Prishtine – Në kuadër të angazhimit lobues për shtimin e njohjeve për Republikën e Kosovës, zëvendëskryeministri z.Behgjet Pacolli, ka vizituar shtetin e Cape Verdes.

Zëvendëskryeministri Pacolli është pritur në një takim nga kryeministri i këtij shteti z. José Maria Neves me të cilin ka diskutuar për fillimin e ndërtimit të marëdhënieve ndërshtetërore ndërmjet dy vendeve.

Zëvendëskryeministri Pacolli ka njoftuar kryeministrin Neves me progresin demokratik të shënuar në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë me 2008 dhe në veçanti për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, që po zhvillohet me ndërmjetësimin e BE-së.

Sipas z.Pacolli, fakti që Kosova dhe Serbia janë duke zhvilluar dialog për normalizimin e marrëdhënieve, nënkupton pranimin e realitetit të ri dhe fillimin e një faze të re të raporteve ndërfqinjësore në rajonin e ballkanit.

Në këtë kontekst, z.Pacolli ka kërkuar nga autoritetet e Cape Verdes që të procedojnë me njohjen formale të Republikës së Kosovës.

Në anën tjetër, kryeministri Neves ka vlerësuar angazhimin e zëvendëskryeministrit të Kosovës dhe ka premtuar se shteti i tij, shumë shpejt do të rreshtohet në radhën e vendeve që kanë njohur shtetin e Kosovës, duke pasuar me lidhjen e marëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve.

Zëvendëskryeministri z.Behgjet Pacolli, në këtë vizitë po shoqërohet nga anëtari i komisionit për punë të jashtme i Kuvendit të Kosovës z.Berat Buzhala.(G.E/LajmeShqip.com)