Lajme Shqip Wednesday, 03 October 2012 18:16

Prishtinë – Partitë opozitare dhe qeveria kanë punë më të rëndësishme se sa të humbin kohë duke kërkuar dorëheqjen e presidentes Jahjaga, tha në një intervistë për Radio Kosovën eurodeputetja gjermane, Doris Pack. Kushtet për Serbinë sa i përket Kosovës nuk kanë ndryshuar dhe ajo duhet ti plotësojë ato nëse dëshiron të anëtarësohet në BE, tha Pack e cila ka shtuar se Gjermani ka interes të madh që çështja e veriut të zgjidhet sipas Planit të Ahtisaarit.

Radio Kosova: Zonja Pack, javën e kaluar kur u morëm vesh për terminin e intervistës, Ju u shprehet e revoltuar me veprimet e disa partive politike në Kosovë që po kërkojnë dorëheqjen e presidentes Jahjaga. Më thatë se Kosova nuk ka nevojë për një krizë të re institucionale!

Doris Pack: Po, unë jam e mendimit se Kosova tani ka probleme të tjera më të rëndësishme për të zgjidhur se sa të merret me presidenten Jahjaga. Presidentja Atifeta Jahjaga është duke bërë shumë mirë punën e saj dhe po përfaqëson për mrekulli vendin jashtë. Mendoj se opozita së bashku me qeverinë duhet të merren me zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohen përditë qytetarët e Kosovës dhe jo të harxhojnë kohë duke kërkuar dorëheqjen e presidentes. Ajo duhet lënë rehat të kryejë detyrat e saj si presidente e vendit. Unë nuk jam juriste dhe nuk di nëse mbetja e saj në detyrë bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës, por ajo që unë mund të them është se: presidentja po përfaqëson për mrekulli vendin tuaj kudo në Evropë dhe botë dhe mendoj se të gjithë duhet të qëndrojnë prapa në mbështetjen e saj deri në përfundim të mandatit kur do të shpallen zgjedhjet e lira.

Radio Kosova: Me 10 shtator Grupi Drejtues Ndërkombëtar i dha fund pavarësisë së mbikëqyrur. Çfarë do të thotë kjo për Kosovën zonja Pack?

Doris Pack: Kjo do të thotë se ju më në fund jeni plotësisht të pavarur ashtu siç keni dëshiruar. Bazë për pavarësinë e Kosovës ka qenë plani i Marti Ahtisaarit dhe kjo pavarësi është arritur pikërisht sipas atij plani. Mua më mbetet vetëm të uroj dhe dëshiroj që edhe çështja e veriut të Kosovës të marrë zgjidhje pikërisht ashtu siç është e parashikuar me planin e Ahtisaari.

Radio Kosova: Gjermani mbetet e përfshirë në mënyrë aktive në zgjedhjen e çështjes së veriut dhe kërkon që problemi të zgjidhet përmes dialogut nëse Kosova dhe Serbia dëshirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian?

Doris Pack: Po, sigurisht Gjermani ka interes të madh që kjo çështje të zgjidhet. Por jo vetëm Gjermania, edhe të gjitha vendet e Bashkimit Evropian janë të interesuar që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë dialogun dhe që problemet të zgjidhen në mënyrë paqësore dhe që më në fund Serbia dhe Kosova të zhvillojnë marrëdhënie normale fqinjësore. Më duhet të them se është në interesin e të dyja shteteve dhe qytetarëve të Kosovës e Serbisë që marrëdhëniet mes dy vendeve të normalizohen.

Radio Kosova: Zonja Pack, qëndrimi i Gjermanisë më së miri u artikulua nga përfaqësuesi i partisë në pushtet CDU, zoti Andreas Schockenhoff, i cili Qeverisë serbe në Beograd i prezantoi shtatë kushte që duhet plotësuar për të marrë datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në BE. Mes tyre është dhe kushti për nënshkrimin e një marrëveshje historike e cila obligon të dyja vendet të vendosin marrëdhënie të mira fqinjësore.

Doris Pack: Kjo nuk është e re. Dialogu që është zhvilluar, apo që pritet të vazhdojë mes Serbisë dhe Kosovës ka për qëllim vendosjen marrëdhënieve të mira fqinjësore mes Serbisë dhe Kosovës dhe këtë e dëshirojmë të gjithë, jo vetëm zoti Schockenhoff.

Radio Kosova: Janë shtatë kushte zonja Pack që Serbia duhet të plotësoje, disa prej të cilave lidhen me Kosovën apo jo?

Doris Pack: Unë mund të ju them kaq: se asgjë nuk ka ndryshuar sa i përket kushteve të vendosur për Serbinë nga ana e Bashkimit Evropian, e kushtet janë: të vendosen marrëdhënie fqinjësore të ndërsjella midis Serbisë dhe Kosovës, që të dyja vendet të respektojnë njëra-tjetrën, të shpërbëhen strukturat paralele të Serbisë në veri, që Serbia ta njohë veriun si pjesë integrale të Kosovës dhe që në veri situata të normalizohet plotësisht, ndërsa zgjidhja e vetme dhe më e mirë për këtë është Plani i Ahtisaarit.(LajmeShqip.com)