Lajme Shqip Tuesday, 04 June 2013 13:47

Prishtinë – Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, sot i kanë dërguar Kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi dhe të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës një kërkesë për rishikimin e mandatit të EULEX-it.

Në kërkesë thuhet: “Kërkojmë nga ju, që sipas ligjit dhe rregulloreve në fuqi, të merrni iniciativën, që të thirrni sa më shpejt, një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku do të rishikohet mandati i EULEX-it”.

Arsyetimi i kësaj kërkese është përmbledhur në 5 pika kryesore, ndërsa është dhënë dhe një përmbledhje kronologjike e krimeve të kryera nga forcat e armatosura të RF të Jugosllavisë (Serbisë), gjatë luftës çlirmtare në Kosovë 1998-1999. Gjithashtu, janë përmendur rastet kur janë shuar familje të tëra, ku forcat jugosllave (serbe) nuk kanë kursyer as rreth 1000 fëmijë.

Në fund të kërkesës thuhet: “Por ky mision, duke anashkaluar vrasjet masive të shqiptarëve, të kryera nga forcat ushtarake e policore serbe, ka argumentuar që ka vetëm një detyrë në Kosovë: Shkeljen e vlerave të luftës, njollosjen e luftës së pastër të UÇK-së, baltosjen e figurave emblematike, Heronjëve dhe Dëshmorëve të Kombit, e të gjitha këto, për t’i ndihmuar Serbisë në luftën kundër Kosovës, luftë të cilën e humbi në betejë. Nga veprimet e EULEX-it, janë prekur të gjithë banorët liridashës të Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare, e në veçanti: Familjet e Dëshmorëve, Invalidët dhe Veteranët e Luftës. Kemi të bëjmë me një ofendim, nënçmim dhe shkelje të dinjitetit nga EULEX-it, ndaj tërë popullit shqipëtar, masë e cila ka kapacitete që të destabilizojë gjendjen, deri në shkallën më të lartë. Andaj, kërkojmë nga ju që të reflektoni në bazë të kompetencave që keni si deputetë dhe besimit që keni marë nga qytetarët. Duke pritur një veprim konkret nga ju, ne do vazhdojmë me aktivitetet tona të tjera, në mbrotje të vlerave të luftës sonë çlirimtare”, përfundon citati.

Vlen të ceket se kërkesa ka shkuar tek të gjithë deputetët pa asnjë përjashtim, me qëllim që secili të ketë mundësi të informohet me kërkesën e Organizatave të Luftës, si dhe të ketë mundësi të marë iniciativën për seancën e jashtëzakonshme që kërkohet, për rishikimin e mandatit të EULEX-it.