Lajme Shqip Thursday, 15 November 2012 18:09

Prishtinë – Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka reaguar ashpër kundër arrestimit të luftëtarëve të UÇK-së: Rrustem Geci, Hetem Geci dhe Sabit T. Geci. Preteksti i arrestimit të tyre, gjoja se për krime lufte, sipas OVL të UÇK-së, është tregues i qartë, që EULEX-i ende nuk ka heq dorë nga “gjahu i shtrigave” kundër luftëtarëve të UÇK-së.

“Edhe pse ky mision gjithherë ka dështuar në argumentimin e akuzave kundër luftës së pastër të UÇK-së, prapë po organizon këso arrestime spektakolare, për të tërhequr vëmendjen e opinionit nga dështimet që ka pasur ky mision, në realizimin e detyrave të veta siç është dështimi i tyre në arrestimin e kriminelëve serb që veprojnë lirshëm në veriun e Kosovës”, thuhet në reagim.

OVL të UÇK-së, konsideron se Rrustemi, Hetemi e Sabiti, kanë qenë ushtar të hershëm dhe të zellshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë kryer detyrën e tyre në çlirimin e Atdheut, me angazhim, përkushtim e sakrificë të madhe.

“Arrestimi i tyre, ka shqetësuar rëndë të gjithë luftëtarët e UÇK-së. OVL të UÇK-së, kërkon lirimin e menjëhershëm të tyre, dhe çdo vonesë në lirimin e tyre, do e shtojë zemërimin e bashkëluftëtarëve. Apelojmë që EULEX të lej të qetë luftëtarët, të kryej punët e veta, ose të largohet përfundimisht nga Kosova”, thuhet në reagimin e OVL të UÇK-së të nënshkruar nga kryesia dhe kryetari i saj, Muharrem Xhemajli.(LajmeShqip.com)