Lajme Shqip Sunday, 27 March 2011 19:54

Shkup – Kryetari aktual i Gostivarit dhe ish-deputeti Rufi Osmani, ka promovuar të dielën, në Shkup, subjektin e ri politik te shqiptarët, të njohur si Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK). Osmani, në Konventën promovuese ka thënë se ka vendosur të formojë parti, për faktin se “asnjë parti politike, as para vitit 2001 dhe pas tij, nuk ka arritur t’i realizojë aspiratat e shqiptarëve si shtetformues në Maqedoni.

“Sot, 10 vjet pas implementimit të Marrvëveshjes së Ohrit, jemi dëshmitarë të respresonit, njëjtë si në vitin 2001. Si raste më karakteristike duhet të përmenden: qindra shqiptarë të vrarë dhe të likuiduar, numër i cili disa herë është më i madh se ai nga konflikti në 2001, pastaj, ngjarjet tragjike në Brodec dhe Sopot dhe vazhdimi i proceseve gjyqësore lidhur me luftën e vitit 2001, vetëm për pjesëtarët shqiptarë të konfliktit, duke përfshirë edhe udhëheqësit e kryengritjes“, ka thënë kreu i RDK-së. Ai ka shtuar se proceset eurointegruese patjetër të zhbllokohen menjëherë dhe pengesa, siç është çështja e emrit, të zgjidhet sipas modelit slloveno-kroat.

“Miratimi i kësaj formule, do të mundësojë zhbllokimin e procesit të integrimeve për në NATO e BE, ashtu që vendi në planin e jashtëm do ta bartte referencën IRJM, me çka edhe përmbushen aspiratat greke, derisa në planin e brendshëm shteti do ta bartte emrin Republika e Maqedonisë, me çka edhe përmbushen aspiratat e faktorit politik maqedonas. Pra, në shenjë të përmirësimit të klimës së ndërsjellë mes Athinës e Shkupit, qeveria aktuale pas zgjedhjeve duhet ta ndërpresë realizmin e projektit ‘Shkupi 2014’, veçmas në pjesën e vendosjes së përmendoreve nga historia antike“, ka thënë më tej kreu i RDK-së.

Ndërkohë, disa nga shyllat e RDK-së janë se do të angazhohet që Republika e Maqedonisë të definohet si shtet i barabartë i popullit shqiptar dhe atij maqedon dhe të gjitha etnikumeve të tjera. Pastaj, RDK-ja bazohet në krijimin e një politike të bazuar në parimet e veprimit të rilindësve shqiptarë për liri, barazi dhe drejtësi të plotë për të gjithë qytetarët dhe bashkësitë kombëtare në Maqedoni. Është parti e cila synon të forcojë ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve dhe të hedhë bazat e një morali politik kombëtar për afirmim, zhvillim dhe barazi të plotë sistemore dhe do të ndihmojë në realizimin e plotë të aspiratave politike, ekonomike dhe kulturore dhe të përparojë rolin politik, shoqëror dhe kulturor të popullit shqiptar dhe të gjithë qytetatëve të tjerë në vend.

Partia e Osmanit është e nënta me radhë prej partive shqiptare, që nga pavarësimi i Maqedonisë. Ai ktheheet në skenën politike pas një pauze prej 14 vjetësh. Ka qenë deputet në përbërjen e dytë nga radhët e PDSH-së, ku edhe si pjesëtarë i kësaj partie fitoi zgjedhjet lokale në Gostivar, deri në burgosjen e tij në vitin 1997, kur në Gostivar dhe Tetovë u hoqën flamujt shqiptarë nga gjysmështizat e komunës. Prej atëherë ai e braktisi PDSH-në dhe u tërhoq nga jeta politike. (Lajmeshqip.com)