Lajme Shqip Friday, 01 April 2011 13:16

Shkup – Kryetari i Rilindjes Demokratike Kombëtare (RDK), Rufi Osmani nuk ka përjashtuar mundësinë e koalicionimeve me partitë shqiptare, por vetëm pas zgjedhjeve. Osmani ka thënë se të gjitha subjektet politike shqiptare kanë synime të njëjta dhe se nuk sheh arsye për mos bashkimin e forcave për realizimin e këtyre qëllimeve.

“Zgjedhjet të jenë fer dhe të lira dhe pas zgjedhjeve ne ofrojmë paktin që të arrijmë konsensusin shqiptar në realizimin e aspiratave politike të shqiptarëve që janë aspirata të përbashkëta. Ne dallojmë në interpretimin e realizimit të këtyre aspiratave, unë prandaj them ne nuk kemi nevojë të zbulojmë programe të reja, objektive. Këto janë programe të vjetra dhe jo rastësisht ne faktikisht bazën ideologjike dhe pse jo aspiratat politike i kemi lidhur me ofertën e rilindësve shqiptar ”, ka thënë kreu i RDK-së Osmani.

Ai është shprehur i gatshëm të ulet në tavolinë me të gjitha subjektet e tjera politike, përfshirë këtu edhe kreun e PDSH-së, Menduh Thaçi me qëllim kapërcimin e hasmërive që i ka shkaktuar politika.

“Në instancë të fundit ne nuk duhet të harrojmë të kemi praktika ndërkombëtare ku shtetet, popujt dhe vendet luftojnë dhe ulen dhe bashkëbisedojnë dhe ne këtë bajraktarizëm apo këtë hasmëri të them në thojza që e ka krijuar politika ne do të duhet ta tejkalojmë dhe të bisedojmë, por të bisedojmë në kuadër të ideve, programeve dhe të tentojmë të gjejmë unitet programor jo unitet verbal në të menduar. Ne mund të vazhdojmë të mendojmë ndryshe për njëri tjetrin dhe është normale kjo”, ka thënë Osmani.

Personi i vetëm me të cilin kreu i RDK-së, Osmani shprehet se nuk ka mandat për të biseduar është lideri i LSDM-së Branko Cërvenkovski, për shkak të ngjarjeve të Gostivarit në vitin 97, që sipas tij u kryen me urdhër të Cërvenkovskit i cili asokohe ishte kryeministër i Maqedonisë.