Lajme Shqip Monday, 15 August 2011 21:58

Tiranë – OSBE/OHDIR-i publikoi të hënën në mbrëmje raportin përfundimtar për zgjedhjet vendore të 8 majit, duke i cilësuar ato si konkurruese dhe transparente, por që u zhvilluan në një mjedis të polarizuar.

Raporti vëren se, ashtu si në zgjedhjet e mëparshme, dy partitë e mëdha nuk përmbushën detyrat e tyre në mënyrë të përgjegjshme, gjë që ndikoi negativisht në administrimin e zgjedhjeve.

Në raport, vlerësohet se votimi ishte i mirë në shumicën e 384 njësive të qeverisjes vendore. Probleme pati në rreth 10 përqind të tyre. Raporti nuk lë pa përmenduar stërzgjatjen e procesit të numërimit në disa qendra, ndërsa i quan të diskutueshme veprimet e ndërmarra nga KQZ-ja lidhur me rezultatin e kryetarit të bashkisë së Tiranës.

Edhe pse u pranuan pjesërisht nga Kolegji Zgjedhor, ato dëmtuan besimin se KQZ po vepronte si institucion i paanshëm, thuhet ndër të tjera në raport.

“Zgjedhjet ishin konkurruese dhe transparente, por u mbajtën në një ambient shumë të polarizuar, me mosbesim mes partive politike në qeveri dhe opozitë”, thuhet në raport. Sipas raportit, “debatet e dobësuan aftësinë e KQZ-së për të tejkaluar boshëllëqet dhe paqartësitë e Kodit Elektoral në mënyrë kolegjiale dhe efektive”.

Raporti vlerëson gjithashtu se “partitë dhe kandidatët u regjistruan në nivel lokal në një proces gjithëpërfshirës dhe fushata ishte aktive në të gjithë vendin, megjithëse raste dhune u regjistruan gjatë periudhës së fushatës. Ndërkohë, u vu re më pak abuzim se në fushatat e kaluara, në përdorimin e burimeve administrative për qëllime elektorale.

Përsa i përket rolit të medias, raporti vlerëson se “ajo ishte e ndarë në vija partizane, ku pluralizmi dhe diversiteti i kronikave lejuan votuesit të zgjidhnin alternativat e tyre elektorale”.

Ndërkohë OSBE/ODIHR vëren se përfaqësimi i grave ishte i ulët. “Në ditën e zgjedhjeve, votimi u krye i rregullt në shumicën e 384 njësive lokale, por pati probleme të konsiderueshme në 10 për qind të qendrave të votimit. Ndërkohë që procesi i numërimit u vlerësua në përgjithësi pozitivisht. Ishte shume i gjatë në disa vende, shoqëruar me vonesa të panevojshme dhe ndërhyrje të partive politike”, vëren raporti.

“Megjithëse pati aspekte pozitive, që hodhën bazat për përparim në të ardhmen, një gjë e tillë kushtëzohet nga vullneti i partive parlamentare të angazhuara në reformën elektorale”, thuhet në raportin e OSBE/ODIHR-it.