Lajme Shqip Wednesday, 20 July 2011 13:43

Tiranë – Një ditë pas takimit të tretë të Këshillit Parlamentar të Stabilizim Asocimit mes Shqipërisë dhe BE-së ka ardhur edhe reagimi i kryetarit të radhës së OSBE-së, ministrit të Jashtëm lituanez, Audronius Azubalis.

Në një deklaratë për shtyp, ai i bëri thirrje sot qeverisë shqiptare dhe opozitës që të rinisin dialogun politik dhe të ecin përpara me reformat.

“Polemika e vazhduar rreth procesit të ankimit pas zgjedhjeve vendore të 8 Majit ka theksuar nevojën për reforma të mëtejshme zgjedhore, por ajo ka treguar mbi të gjitha nevojën urgjente që dy partitë më të mëdha politike të veprojnë në mënyrë të përgjegjshme. U bëj thirrje qeverisë dhe partive opozitare që ta kapërcejnë polarizimin dhe mosbesimin e thellë e t’i japin fund ngërçit politik në vend”, thekson ai në deklaratë.

“Ne jemi në pritje të vlerësimit përfundimtar nga Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), e cila mund të mbështesë këtë proces, por nuk mund të ketë asnjë vonesë në vendosjen e dialogut politik. Ky hap i parë është i domosdoshëm për funksionimin e institucioneve demokratike të Shqipërisë, dhe në mënyrë të veçantë Parlamentit”, thekson z. Azubalis

Kryetari i radhës i OSBE-së, ministri i Jashtëm lituanez, Audronius Azubalis, shpreh gatishmërinë e OSBE-së, përfshirë edhe Prezencën e saj në Shqipëri, dhe ODIHR-i, “që të mbështesin qeverinë dhe partitë politike që të bien dakord, në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe në mënyrë transparente, për një axhendë më të gjerë të reformave, përfshirë edhe reformat zgjedhore”.