Lajme Shqip Saturday, 15 September 2012 13:53

Prishtinë – “Pjesëmarrja e publikut në vendimmarrje është e rëndësishme për demokracinë”, tha shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Werner Almhofer, në një deklaratë të bërë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë.

Almhofer theksoi se “institucionet e nivelit qendror dhe lokal duhet të kërkojnë pjesëmarrje më aktive të publikut kur përpilohen politikat që e prekin atë. Kjo është thelbësore për demokracinë dhe për qëndrueshmërinë e institucioneve demokratike”.

Ai vuri në pah se OSBE ka mbështetur Kuvendin e Kosovës dhe kuvendet komunale në nxitjen e shtrirjes së tyre në terren dhe ngritjen e pjesëmarrjes së publikut, ndërsa ka theksuar transparencën si një parakusht për institucionet demokratike që të gëzojnë besimin e publikut.

“Shoqëria civile dhe mediat duhet të jenë në gjendje të kenë qasje në informim nga institucionet me qëllim që të mbajnë zyrtarët përgjegjës”, tha ai, duke shtuar se “institucionet e Kosovës duhet të vazhdojnë të përmirësojnë qasjen në informim për mediat”.(LajmeShqip.com)