Lajme Shqip Wednesday, 23 November 2011 09:00

– Deklaron ambasadori i OSBE-së, Wollfarth, në simpoziumin ndërkombëtar për kontrollin e armëve – 

Tiranë – “Prezenca e OSBE-së mbetet e gatshme të ndihmojë Shqipërinë në fushën e kontrollit të armëve”, u shpreh dje ambasadori i OSBE-së, në Tiranë, Eugen Wollfarth, gjatë punimeve të Simpoziumit ndërkombëtar për Kontrollin e Armëve.

Në fjalën e tij, ambasadori Wollfarth theksoi se ende në zonën e OSBE-së vazhdojnë të mblidhen e të shpërndahen armë të të gjitha llojeve, të cilat përbëjnë një rrezik të mundshëm, pasi vënë në rrezik sigurinë individuale dhe atë kolektive.

Ndaj, sipas tij, kontrolli i armëve mbetet i rëndësishëm për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit si një çështje politiko-ushtarake. “Ne nuk mund t’i lejojmë vetes që të harrojmë ndonjëherë qëllimin përfundimtar të shprehur në Kartën e Kombeve të Bashkuara: “Të ruajmë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, tha Wollfarth.

Në kontekstin e Shqipërisë, Wollfarth nënvizoi se stoqet e tepricave të municioneve konvencionale dhe armëve të vogla e të lehta të pasiguruara si duhet, përbëjnë ende një rrezik të konsiderueshëm.

Sipas tij, që prej hyrjes në OSBE në vitin 1991, Shqipëria ka miratuar të gjitha Dokumentet e OSBE-së që shtrojnë rrugën drejt një kontrolli më të madh të armëve, duke treguar një vullnet të qartë politik për të marrë përsipër me seriozitet përgjegjësitë e saj në këtë fushë.

Simpoziumi ndërkombëtar për Kontrollin e Armëve, që po mbahet në Tiranë, është organizuar nga RECVIAC-Qendra për Bashkëpunim në fushën e Sigurisë, në bashkëpunim në Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, Ministrinë gjermane të Mbrojtjes, Ministrinë e Jashtme gjermane dhe Institutin gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë.