Lajme Shqip Friday, 05 October 2012 14:06

TIRANË – ‘OSBE mbështet Shqipërinë për zgjedhjet e vitit 2013’, theksoi sot Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Lamberto Zannier, në një konferencë të përbashkët për shtyp me Kryeministrin Sali Berisha. Sekretari i Përgjithshëm i OSBE Lamberto Zannier u bëri apel forcave politike shqiptarë të dialogojnë dhe bashkëpunojnë më ngushtë me njëra-tjetrën për integrimin dhe zgjedhjet e ardhshme.

“Në fakt mbeten çështje që duhen adresuar, në fushën e shtetit të së drejtës, dialogu politik, prezenca e OSBE në Shqipëri i qëndron mendimit për një rritje bashkëpunimit të forcave politike, një bashkëpunim dhe për zgjedhjet e ardhshme”, tha Zannier duke shtuar se mirëpret hapat pozitivë që Shqipëria ka hedhur në rolin e saj konstruktiv në rajon duke shpresuar se ky rol do vijojë dhe në të ardhmen. 

I pyetur rreth problemeve që ekzistojnë në Shqipëri mbi shtetin e së drejtës, Zannier theksoi se ky problem qëndron me shumë popuj në botë. “Shteti i së drejtës nuk vlen vetëm për Shqipërinë por është një prioritet global. Këto vende duhet të bëjnë reformime në sektorin e drejtësisë. Disa nga prioritet për Shqipërinë janë lufta kundër korrupsionit, një qeverisje më e mirë ekonomike etj”.

Zannier theksoi më tej se informohet në cdo kohë rreth hapave që hedh Shqipëria në kuadër të integrimit duke theksuar se ai personalisht po zgjeron bashkëpunimin mbi këtë qëllim. “Unë nga ana ime, mirëpres hapat pozitivë që Shqipëria ka ndërmarrë për integrim. Unë kam kontakte të vazhdueshme edhe me komisionerin Fyle dhe po bashkëpunojmë për të bërë të mundur ta ndihmojmë Shqipërinë” tha Zannier.

Berisha: Të vendosur për zgjedhje të lira e të ndershme
Në konferencën e përbashkët për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, kryeministri Berisha e vuri sërish theksin tek zgjedhjet e 2013-ës, duke siguruar se mazhoranca do të bëjë gjithçka për një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm.

“Në vitin 2009, zoti Rama deklaroi se procesi zgjedhor do të ishte historik, por kur nuk gjeti votat që donte ndryshoi qëndrim. Shqiptarët zhvilluan zgjedhje të lira dhe unë jam i vendosur për zgjedhje të lira e të ndershme, në 2013-ën.”- deklaroi kryeministri. 

Ndërsa Kryeministri Berisha u shpreh se sheh një bashkëpunim të ardhshëm të suksesshëm të OSBE-së me Shqipërinë. “I premtova sekretarit Zannier se do të bëjmë gjithçka për të mbështetur OSBE-ODIHR-in në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme të jenë zgjedhje që të plotësojnë tërësisht standardet ndërkombëtare”, tha Berisha.

Për sa i përket çështjes së korrupsionit, Berisha u shpreh se “ky vend ka një reformë shumë të qartë të luftës kundër korrupsionit. Nëse reformat kanë pasur sukses, në themel ka qenë lufta ndaj korrupsionit. Janë penalizuar qindra zyrtarë, nga zv/ ministra në punonjës institucionesh”.(LajmeShqip.com)