Lajme Shqip Sunday, 24 June 2012 12:38

Tiranë – OSBE u kërkon dy forcave politike kryesore në vend të vijojnë me shpejtësi reformën zgjedhore.

Përmes një letre dërguar dy bashkëkryetarëve të Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Ilir Rusmali, OSBE shpreh shqetësimin e saj për vonesat që po vihen re në punën e komisionit, sidomos pas deklarimit të PS-së se do të punojë me amendamentet e ODIHR-it kur ato të vijnë të plota, për rishikimin e kapitullit për përdorimin e teknologjisë në zgjedhje.  Letra konfirmon se rekomandimet me shkrim do të vijnë brenda një javë.

Por, për OSBE-në kjo nuk do të thotë që komisioni të stopojë punën, duke lënë të digjet 1/3 e afatit të mandatit të komisionit. Në letrën për bashkëkryetarët Rusmali dhe Gjiknuri, zëvendësambasadori i OSBE-së thekson edhe një pikë tjetër të rëndësishme, kur thotë se “në komentet e shkruara që do t’ju dërgohen, ato nuk do të ndryshojnë në formë apo në përmbajtje nga bisedat shumë të detajuara që u zhvilluan me ju gjatë vizitës së fundit të ekspertëve”. Këto biseda, siç i konfirmuan të dyja palët në mesin e muajit maj, rrëzuan konsensusin mes demokratëve për përdorimin e teknologjisë në zgjedhje menjëherë në të gjithë vendin, si për përdorimin e pajisjes lexuese të kartës së identitetit, ashtu edhe për numërimin elektronik.

Propozimi i PS-së për përdorimin e teknologjive u refuzua nga ekspertët e ODIHR-it si i nxituar, i pasigurtë dhe i paqëndrueshëm dhe si i tillë u konsiderua si proces i parealizueshëm për zgjedhjet e vitit 2013-të. ODIHR-i rekomandoi të paktën 3 vjet kohë përgatitore për futjen e teknologjive në zgjedhje dhe pranoi përdorimin e tyre vetëm nëpërmjet projekteve-pilote në shkallë të ulët dhe në mënyrë graduale. Ky qëndrim i ekspertëve të ODIHR-it përsëritet edhe në letrën drejtuar bashkëkryetarëve të Komisionit për Reformën Zgjedhore. Duke i inkurajuar të vazhdojnë punën me çështjet e tjera, zëvendësambasadori i OSBE-së, Dan Redford i thotë zotit Rusmali dhe zotit Gjiknuri, se “duke qenë se ata janë në dijeni të këtyre fakteve, do të ishte shumë zhgënjyese dhe fare e panevojshme që çështja e marrjes me shkrim të këtyre komenteve të rezultonte në një vonesë për punën e komisionit”.

Palët nuk e kanë mbledhur dje, Komisionin e Reformës, duke bërë kështu që të kalohet edhe një ditë nga afati i mbylljes së punës së tij, deri në 12 korrik. (LjmeShqip.com)