Lajme Shqip Saturday, 03 December 2011 16:55

Prishtinë-Më shumë se 250 gjykatës kosovarë u takuan sot në konferencën vjetore për gjyqësorin për të shqyrtuar sfidat me të cilat ballafaqohen gjykata supreme dhe gjykatat e qarkut në administrimin e drejtësisë dhe për të avancuar strategjitë për t’i tejkaluar këto sfida. Konferenca është organizuar nga Misioni i OSBE-së, në bashkëpunim me Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Gjykatën Supreme dhe Institutin Gjyqësor të Kosovës.

“Kjo konference, e para e llojit të vet, bashkon këtu pothuaj të gjithë gjykatësit nën administrimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Gjykatësit e Kosovës do të kenë rastin të japin kontribut jetik në procesin e reformimit të sistemit gjyqësor, duke e avancuar dukshëm strategjinë për implementimin e kornizës së re legjislative”, tha ushtruesi i detyrës së Shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Edward Joseph. Ai theksoi se implementimi i kësaj kornize të re do të duhej të kontribuonte thellësisht në pavarësinë e gjyqësorit, pasi në mënyrë më të qartë përkufizon rolet e gjykatave të ndryshme. 

Pas përfundimit të procesit të verifikimit të gjykatësve dhe prokurorëve në tetor të vitit 2010, sistemi gjyqësor në Kosovë i është nënshtruar një ristrukturimi të tërësishëm, të paraparë me kornizën e re legjislative, duke përfshirë shpërbërjen e Gjykatës për Kundërvajtje dhe krijimin e degëve të gjykatave. (LajmeShqip.com)