Lajme Shqip Wednesday, 17 October 2012 15:50

PRISHTINË – Me rastin e Ditës Evropiane Kundër Trafikimit, përfaqësuesit e Misionit të OSBE-së në Kosovë kanë bërë thirrje sot për një informim më të madh për rrezikun nga trafikimi i qenieve njerëzore.

Ky apel u bë gjatë prezantimit të poezive dhe eseve me këtë temë të shkruara nga nxënësit e shkollave të mesme nga komunitete të ndryshme të Kosovës.

Ngjarja ishte pjesë e aktiviteteve të fushatës për informim të Misionit të mbajtur gjatë muajit kundër trafikimit në Kosovë, e cila ka përfshirë shfaqje të filmave dhe diskutime me të rinjtë në lidhje me mënyrën e mbrojtjes së tyre dhe ndihmën që të luftojnë trafikimin me qenie njerëzore.

“Trafikimi me qenie njerëzore-blerja dhe shitja e njerëzve është një nga shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut dhe një nga format më përfituese të krimit të organizuar”, tha Hjortur Sverrison, ushtrues detyre i drejtorit të Departamentit për të Drejta të Njeriut dhe Komunitete në Misionin e OSBE-së.

Ai shtoi se, “informimi rreth këtij problemi është qenësore për parandalim efikas dhe OSBE-së është aktive në këtë fushë”.

Përveç informimit nëpërmjet aktiviteteve informuese dhe fushatave të informimit publik, misioni është duke ndihmuar institucionet në Kosovë, përfshirë policinë, punëtorët socialë dhe OJQ-të që të përmirësojnë përgjigjen e tyre ndaj rasteve të trafikimit dhe t’u ndihmojnë më mirë viktimave.

Misioni i OSBE-së në Kosovë është i mandatuar me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokratizimin dhe sigurinë si dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike.(LajmeShqip.com)