Lajme Shqip Thursday, 01 December 2011 17:15

Tiranë – Në mjediset e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit u zhvillua sot  ceremonia për dhurimin e disa pajisjeve teknike për Policinë e Shtetit, mundësuar nga Zyra e Prezencës së OSBE-së në Tiranë, pajisje këto që do të shërbejnë për forcimin e mëtejshëm të luftës kundër krimit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, falënderoi Zyrën e Prezencës së OSBE-së në Tiranë për mbështetjen e vazhdueshme si në drejtim të trajnimit të punonjësve të policisë, ashtu edhe për kontributin me pajisje të ndryshme teknike.

“Kjo mbështetje që OSBE jep për Policinë e Shtetit, do të ndikojë në rritjen e cilësisë së shërbimit dhe përmirësimin e performancës së Policisë së Shtetit për të qenë sa më pranë dhe në shërbim të komunitetit”, theksoi Burgaj.

Ndërkohë, Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, z. Eugen Wollfarth, duke vlerësuar punën mjaft të mirë të kryer deri tani dhe arritjet e Policisë shqiptare, u shpreh se “për Prezencën e OSBE-së në Shqipëri është gjithmonë kënaqësi dhe detyrë fisnike të mbështesë Policinë e Shtetit, ndërsa ajo vazhdon të forcojë edhe më shumë kapacitetet e saj”.