Lajme Shqip Tuesday, 28 February 2012 18:30

Tiranë -Kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, ambasadori Eugen Wollfarth, është shprehur sot në një intervistë televizive se “vullneti politik për reformën zgjedhore dhe atë parlamentare është kyç”. 

“Jemi në një kohë kritike. Ka shumë rëndësi që kjo kohë kritike të përdoret sa më mirë, duke u angazhuar plotësisht me propozime të mira dhe respekt reciprok”, ka theksuar Wollfarth.

Sipas ambasadorit të OSBE-së, partnerët ndërkombëtarë do të donin të shihnin zgjidhje të hershme.     

Megjithatë, vijon ai, “përmbajtja është më e rëndësishme se koha, është më i rëndësishëm diskutimi i mirë dhe konstruktiv dhe propozimet për zgjidhje cilësore afatgjata. Kjo është më e rëndësishme sesa të bëhet një punë e nxituar”.

“Në këtë kontekst, ne nuk kemi arritur plotësisht aty ku donim të ishim. Për këtë arsye, një shtyrje e afatit duket shumë e nevojshme. Megjithatë, çdo orë e çdo dite të çdo jave që tani e tutje duhet përdorur në mënyrë konstruktive”, është shprehur Wollfarth.

Sipas tij, fakti se të dyja partitë po akuzojnë njëra-tjetrën për mungesë vullneti politik në përmbushjen e detyrës deri diku është i rëndësishëm, pasi tregon që ata duket se e kanë kuptuar që kjo është çështja thelbësore.

Megjithatë, vijon ambasadori i OSBE-së, “ata duhet të kthejnë vështrimin edhe nga vetja për të parë a po tregojnë vullnet të mjaftueshëm politik në proces. Është një fushë loje, ku nevojitet bashkëpunim konstruktiv nga të gjitha anët”.