Lajme Shqip Wednesday, 06 July 2011 18:13

Tiranë – Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, është shprehur gjatë analizës së arritjeve në 6-mujorin e presidencës hungareze të BE-së, se u ka dorëzuar liderëve të vendeve të tjera të Bashkimit Evropian, një memorandum në lidhje me integrimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Sipas faqes zyrtare të presidencës hungareze të BE-së, në këtë memorandum Orban kërkon një riangazhim më të fuqishëm në Ballkanin Perëndimor, ndërsa mbështet nisjen e dialogut për liberalizim të vizave me Kosovën.

Pasi vlerësoi mbylljen e negociatave për anëtarësim me Kroacinë, Orban theksoi se kjo do të sigurojë një opinionin inkurajues për shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Në veçanti për Shqipërinë, Orban ka theksuar se “Shqipërisë duhet t`i jepet statusi i vendit kandidat për në Bashkimin Europian deri në fund të vitit”, duke shtuar se ngërçi politik dhe debatet politike në Shqipëri nuk e kanë rrezikuar funksionimin e demokracisë në vend, prandaj asaj duhet t’i jepet mundësia që brenda këtij viti të marrë statusin e vendin kandidat për në BE.

Gjithashtu në fjalën e tij kryeministri Orban i është referuar edhe procesit të integrimit dhe liberalizimit të vizave për Kosovën, duke shtuar se nuk mund të mbeten vrima të zeza në hartën e Evropës dhe për këtë është e nevojshme të forcohet perspektiva evropiane e saj.

Pas fjalës së Orban, Presidenti i Parlamentit Evropian (PE), Jerzy Buzek, tha se memorandumi përmban një vizion dhe program strategjik për Ballkanin Perëndimor.

“Dokumenti i Orban e konsideron integrimin në BE të shteteve të Ballkanit Perëndimor si përfundim të bashkimit të Evropës”, ka theksuar Buzek.