Lajme Shqip Monday, 05 December 2011 18:22

Tetovë-Kryetari i PS-së Edi Rama është takuar të hënën në mesditë në Maqedoni me Kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare Menduh Thaçi.

Zyra e shtypit e PS-së bëri të ditur se kryesocialisti Rama u shpreh se në takimin me Kreun e PDSH kanë biseduar për situatën politike, në Shqipëri si dhe në Maqedoni duke vënë në dukje se eksperienca opozitare është e ngjashme në të dy vendet.”Është domosdoshmëri rritja e hapësirës demokratike”, theksoi Rama.

Edi Rama ka falenderuar edhe publikisht Menduh Thaçin për mikpritjen duke nënvizuar, edhe në takimin me të, domosdoshmërinë e intensifikimit të komunikimit të opozitës shqiptare me partitë politike të rajonit tonë.

“Jemi të bindur për nevojën e rritjes së komunikimit me të gjithë faktorin politik në rajon dhe rritjes së pranisë së opozitës shqiptare në trojet ku jetojnë shqiptarët”,tha ai.

Nga ana e tij, Kryetari i PDSH Menduh Thaçi u shpreh se “biseduam për çështje të politikës së brendshme, për integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE. Dy partitë tona janë nga më të vjetrat në Shqipëri dhe Maqedoni”, duke nënvizuar se këto kontakte janë të natyrshme.

Rama dhe Thaçi kanë shkëmbyer me njëri tjetrin librat e tyre. Duke marrë librin “Kurban” Menduh Thaçi pas falenderimit, u shpreh se do ta lexojë librin me interes të veçantë.

“Kënaqësi që marr nga vetë Edi Rama librin “Kurban”. Garantoj se do ta lexoj librin pasi nuk jam prej atyre që nuk i lexojnë librat,” është shprehur kreu i PDSH-së.