Lajme Shqip Tuesday, 29 March 2011 11:54

Prishtinë – Kryesia e Kuvendit të Kosovës vendosi sot për mbajtjen e seancës plenare më 31 mars, ku në rend dite do të jetë miratimi i projektligjit për buxhetin e vitit 2011.

AAK e cila e ka miratuar projektligjin në leximin e parë, tha se të enjten nuk do ta votojë buxhetin nëse nuk hiqet neni 4, ku parashihet edhe leja për Qeverinë që të procedojë me  privatizimin e PTK-së, pa një vendim të veçantë të Kuvendit.

Projektligji për buxhetin për vitin 2011 pritet të miratohet të enjten në seancë plenare të Kuvendit, e cila u përcaktua sot në mbledhjen e Kryesisë. Kryesuesi i mbledhjes së kryesisë, Xhavit Haliti, tha se kjo mbledhje është konform rregullave të parapara me rregullore të Kuvendit dhe me Kushtetutë.

Në mbledhje ishin të pranishëm edhe shefat e grupeve kuvendare, por vetëm ai i AAK-së, Ardian Gjini, shfaqi qëndrimin e partisë së tij në lidhje me buxhetin. Ai tha se  nëse nuk ndahet neni 4, AAK-ja nuk do ta mbështesë këtë ligj, ashtu siç e mbështeti në leximin e parë.

Gjini tha se AAK ka pasur edhe shumë vërejtje të tjera, por ka hequr dorë nga kërkesat, për shkak të situatës në të cilën ndodhet Kosova.

Në nenin katër të Projektligjit për buxhetin, qeverisë i jepet leja që të procedojë me  privatizimin e PTK-së, pa një vendim të veçantë të Kuvendit, siç e parasheh Ligji për ndërmarrjet publike, përkatësisht neni 9 i tij.