Lajme Shqip Wednesday, 19 August 2015 08:16

Lëvizja Vetëvendosje ka nisur parapërgatitjet për ta kundërshtuar themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, duke paralajmëruar protesta pas 25 gushtit, kur për këtë çështje pritet të vendosin kryeministrat, Mustafa e Vuçiq.

Një javë para se kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Isa Mustafa dhe Aleksandër Vuçiq, të takohen në Bruksel për të arritur marrëveshje për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, partitë opozitare kanë nisur parapërgatitjet për ta kundërshtua këtë Asociacion, duke bërë ftesë për mobilizim gjithëqytetar.

Drejtuesit e Vetëvendosjes, subjekt politik ky që i ka kundërshtuar në vazhdimësi bisedimet në këtë formë me Serbinë, thonë se për ta kundërshtuar Asociacionin nuk përjashtohen protestat, e as, siç thonë ata, mënyrat tjera të shprehjes së pakënaqësisë, shkruan Zëri.

Kundër Asociacionit Vetëvendosje nuk është pozicionuar si e vetme. Atyre u janë bashkuar edhe dy subjektet tjera opozitare: Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën.