Lajme Shqip Thursday, 10 September 2015 11:38

Shoqëria civile në vend e sheh si pak të mundur bashkëpunimin në mes partive opozitare në Kuvendin e Kosovës.

Sipas tyre duke parë reagimet dhe qëndrimet e ndryshme lidhur me protesta dhe veprime të tjera jashtë parlamentit është e vështirë të mendohet se Vetëvendosje, AAK dhe Nisma të shndërrohen në një grup të vetëm opozitar.

Por përfaqësues të Vetëvendosjes deklarojnë se partia e tyre është e hapur që të bashkëpunojë me dy partitë tjera që janë në opozitë.

Frashër Krasniqi nga kjo parti tha për KosovaPress se që prej se ka filluar sesioni pranveror dhe janë konsoliduar institucionet, subjekti që ai përfaqëson ka qenë i hapur për të bashkëpunuar me dy subjektet e tjera opozitare dhe se njëjtë do të vazhdojnë të veprojnë edhe në këtë sesion vjeshtor.

“Lëvizja Vetëvendosje sidomos gjatë këtij mandati vazhdimisht veprimet e veta i ka bërë bashkë me partitë tjera opozitare, në njëfarë mënyre i ka organizuar opozitën që të reagoj fuqishëm ndaj projektit, kështu që nuk kemi arsye kësaj radhe të mos bashkohemi aq më tepër kur zërat kundër ‘Zajednicës’ janë të shumtë gjithandej jo vetëm në spektrin politik në Kosovë, por edhe në shoqëri. Ne do të përpiqemi t’i organizojmë gjithë këta zëra dhe bashkë ta kundërshtojmë fuqishëm këtë ‘Zajednicë’.

Kurse për veprimet konkrete në Kuvend me siguri se do të njoftoheni kur të vij koha pasi kjo çështje do të diskutohet në grupet parlamentare”, tha Krasniqi.

Mirëpo këtë mendim nuk e ndajnë përfaqësues të shoqërisë civile, sipas të cilëve tashmë kanë filluar plasaritjet e para të opozitës.

Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike e Politike, tha për KosovaPress se aktualisht ka një plasaritje të opozitës, dhe kjo mund të kuptohet nga veprimet që këto subjekte po bëjnë lidhur me kundërshtimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Sipas tij veprimet e Vetëvendosjes për të kundërshtuar Asociacioni nuk po gjejnë përkrahje edhe nga AAK dhe Nisma.

“Në relacion me asociacionin duket se ka njëfarë thyerje të lehtë të partive opozitare ndërmjet veti për faktin që AAK dhe Nisma nuk janë të interesuar që t’i bashkëngjiten kursit të Vetëvendosjes, kurse në anën tjetër Vetëvendosja nuk dëshiron që të sheh asnjë kufi në relacion me kundërshtimin e Asociacionit, dhe kjo thyerje e lehtë në fakt e opozitës është tregues se jo detyrimisht partitë opozitare janë të bashkuara kur vjen çështja e përfaqësimit të ideve dhe opsioneve edhe në Kuvend të Kosovës”, tha Korenica.

Përkundër që këto tri subjekte opozitare nuk përdorin instrumentet e njëjta për të kundërshtuar veprimet qeveritare, Korenica nuk përjashton tërësisht mundësinë e bashkëpunimit në Kuvend në mes tyre, e kjo mund të ndodh sidomos në kundërshtimin që këto subjekte i kanë bërë e vazhdojnë t’i bëjnë themelimit të Gjykatës Speciale.

Në anën tjetër ata që monitorojnë punën e Kuvendit të Kosovës Instituti Demokratik i Kosovës, duke parë monitorimet e bëra gjatë seancave të sesionit të kaluar, thonë se ka pasur raste kur treshja opozitare nuk ka qenë e një mendimi kur ka qenë puna për të votuar vendimet e rezolutat e paraqitura para deputetëve.

Sipas Albert Krasniqi ka pasur disa raste kur AAK dhe Nisma për dallim nga Vetëvendosje kanë votuar sikurse edhe pozita.

“Në disa raste të tjera që ne i kemi vërejtur gjatë monitorimit, janë votimet e AAK-së. Në disa raste grupi parlamentar është deklaruar kundër një vendimi të cilët kanë qenë kundër asaj që ka përkrahë koalicioni qeverisës, por deputetët e AAK kanë votuar njëjtë sikurse deputetët e koalicionin qeverisës”, tha Krasniqi.

Ajo çka është deklaruar gjatë këtyre ditëve dhe veprimet e ndërmarra nga opozita sipas Krasniqit lënë hapësirë për të kuptuar se në këtë sesion do të mund të presin një opozitë më pak të konsoliduar.