Grupi Parlamentar i AAK-së, përmes deputetes Donika Kadaj Bujupi, që njëkohësisht është edhe anëtare e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregullore të Kuvendit dhe Mbikëqyrje të Agjencisë Kundër Korrupsionit, ka kërkuar sot shqyrtimin në Komision të marrëvshjeve për Demarkacionin me Malin e Zi dhe Asociacionin e Komunave Serbe të Kosovës.
Një kërkesë e tillë është bërë për shkak se Qeveria po bën të pamundurën që ta përjashtojë Kuvendin nga ratifikimi i këtyre marrëveshjeve.
Deputetja Kadaj-Bujupi ka insistuar që Komisioni të kërkojë prej Qeverisë që këto marrëveshje t’i sjell në Kuvend, kjo duke u mbështetur në nenin 18 të Kushtetutës.
Komisioni për Ligje ka obligim që të mbrojë zbatimin e ligjeve dhe respektimin e kushtetutës. prandaj procedimi me pika të rëndomta të rendit të ditës ne një situatë të jashtëzakonshme, është i papranueshëm dhe në kundërshtim me misionin e deputetit dhe të Komisionit, ka thënë zonja Kadaj-Bujupi.
Mirëpo propozimi i saj, përveç kryetares së Komisionit, nuk është mbështetur nga anëtarët e pozitës, të cilët në mënyrë demonstrative e kanë braktisur mbledhjen e Komisionit.