Lajme Shqip Thursday, 03 September 2015 10:00

Tri partitë e opozitës parlamentare, Lëvizja “Vetëvendosje”, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe “Nisma”, nuk po arrijnë t’i koordinojnë veprimet në një segment kundrejt Qeverisë, por secila ka hapur front në vete kundër koalicionit PDK – LDK.

Të tri partitë kundërshtojnë Marrëveshjen për Themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe Marrëveshjen për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi, por veprimet e tyre janë të çakorduara.

Përderisa Lëvizja “Vetëvendosje” është më shumë e koncentruar për ta kundërshtuar themelimin e Asociacionit, Aleanca e Ramush Haradinajt është më e zëshme kundër Marrëveshjes për shënjimin e kufirit me Malin e Zi. Këto kundërshtime opozitarët mendojnë t’i vazhdojnë edhe në ditët dhe javët në vijim, megjithatë nuk flasin për koordinim në mes vete ose edhe për idenë e “frontit opozitar”.