Lajme Shqip Monday, 05 December 2011 12:06

Partite opozitare në Kuvend nuk do të përkrahin nismën e Lëvizjes Vetëvendosje për marrjen e besimit kryeministrit dhe Qeverisë së Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosoves dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thanë se para se të merret nje vendim i caktuar duhet të bëhen konsulta brenda partive opozitare.

Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës duket se nuk do t’i dalin në ndihmë lëvizjes Vetëvendosje për ta nënshkruar mocionin për mosbesimin e Qeverisë.

Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi tha se nisma e Vetëvendosjes është bërë pa asnjë konsultim paraprak me partinë e tyre. “Do ta shqyrtojmë kërkesën e tyre dhe më pas do të marrim vendim për këtë cështje,

Sipas Isufit “ Çdo parti poltike kur dëshiron të marrë ndonjë nismë, duhet të konsultohet, prandaj ne do ta analizojmë kërkesën e tyre dhe do të vendosim në bazë të strukturave të partisë. Nuk jemi kontaktuar, por konsiderojmë se paraprakisht duhen konsulta”.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvend, Imri Ahmeti tha se kërkesa e Vetëvendosjes është bërë pa konsulta paraprake dhe si e tillë më shumë ka efekte propagande sesa veprime serioze.

Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar dje qëndrimin e saj pro mocionit për mosbesimin e Qeverisë Thaci. Arsye e kësaj kërkesë të Vetëvedosjes është kundërshtimi për marrëveshjen e arritur për menagjimin e integruar të kufijve në mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.