Lajme Shqip Monday, 01 October 2012 11:04

Tiranë – Zgjidhja e situatës në qarkun e Fierit ka qënë sërish kushti i vendosur nga deputetët e Partisë Socialiste të opozitës në komisionin e Ligjeve, ku po diskutohet projektligji “Për nëpunësin civil”, miratimi i të cilit kërkon shumicë të cilësuar në parlament.

Anëtarët e majtë të komisionit përsëritën qëndrimin e tyre se do të marrin pjesë në shqyrtimin e këtij ligji, vetëm pasi të jetë zgjidhur situata në këtë qark, duke braktisur më pas dhe mbledhjen.  

Nënkryetari socialist i komisionit, Fatmir Xhafaj akuzoi maxhorancën se po e trajton ligjin sikur administrata publike të jetë pronë e Partisë Demokratike. “Shumica po bën të njëjtën aventurë si me projektligjin “Për Gjykatën e Lartë”. Jemi gati të shqyrtojmë ligjet me 3/5, por më parë duhet të zgjidhet çështja e Fierit, ndaj opozita nuk merr pjesë në shqyrtimin e ligjit “Për nëpunësin civil”, tha Xhafaj.

Nga ana e tij, kryetari demokrat i komisionit, Ilir Rusmali deklaroi se komisioni nuk mund ta heqë shqyrtimin e projekligjit nga rendi i ditës, pasi është në kundërshtim me rregulloren. “Deklaratat e opozitës po i marrim si kërkesë për heqjen e ligjit nga rendi i ditës së komisionit të Ligjeve. Për diskutimin e tij ne na urdhërojnë ligjet dhe rregullorja e Kuvendit, por kush e urdhëron opozitën për të bllokuar dhe kërcënuar? Në komisione punohet për të bërë ligje”, tha Rusmali.

Zgjidhja e situatës në qarkun e Fierit ka qënë kushti i paravendosur nga opozita edhe për miratimin e ligjit “Për Gjykatën e Lart”, i cili për mungesë votash u tërhoq nga votmi në seancën e fundit parlamentare. (LajmeShqip.com)