Lajme Shqip Tuesday, 11 August 2015 08:10

Do të kontestohet të martën procedura e miratimit, por edhe përmbajtja e amendamentit kushtetues të miratuar javën e shkuar në Kuvend, me të cilin krijohet baza ligjore për themelimin e Gjykatës Speciale. Opozita do ta bëjë këtë, duke kërkuar nga Gjykata Kushtetuese ta rrëzojë amendamentin.

I njëjti amendament ishte hedhur në votim edhe më përpara, por nuk kishte siguruar dy të tretat e votave të deputetëve, sa janë të nevojshme për të bërë ndryshime kushtetuese.

Pas kësaj, Qeveria e pati riproceduar në Kuvend amendamentin. Ndryshe nga siç kërkon procedura, ai qe hedhur në votim pa u dërguar paraprakisht në Kushtetuese, me arsyetimin se për përmbajtjen e tij njëherë ishte deklaruar Gjykata, shkruan ‘Koha Ditore’.

Por, opozita insiston se në këtë rast është shkelur procedura kushtetuese. Prandaj, tri deputete që u përkasin subjekteve opozitare, të martën në orën 11, kërkesën për rrëzimin e amendamentit do ta deponojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Albulena Haxhiu, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetare e Komisionit Parlamentar për Legjislacion, i prin iniciativës.

Konsulta paraprake për përmbajtjen e kërkesës ka zhvilluar edhe me deputeten e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, dhe me atë të Nismës për Kosovë, Valdete Bajrami.