Lajme Shqip Thursday, 22 March 2012 15:00

Prishtinë-Ministri Agim Çeku dhe komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës(FSK), gjenerallejtënant Kadri Kastrati, në një ceremoni në kazermën “Adem Jashari” të Komandës së Forcave Tokësore, përcollën sot një togë prej 33 ushtarakësh për trajnim për Operacione Mbështetëse të Paqes në Turqi.

Toga e Forcës së Sigurisë të Kosovës, të cilët sot udhëtuan për në Turqi, do të zhvillojë një trajnim (nga 22 mars e deri më 26 prill) në Brigadën e 28 të Korpusit të Tretë të Forcave të Armatosura të Ushtrisë së Turqisë dhe në Qendrën e Partneritetit për Paqe, në Ankara.

Qëllimi i këtij trajnimi është përgatitja e pjesëtarëve të FSK-së për Operacione Mbështetëse të Paqes. Trajnimi realizohet në bazë të Marrëveshjes për Bashkëpunim në mes të FSK-së dhe të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Turqisë. (LajmeShqip.com)