Lajme Shqip Saturday, 27 August 2011 14:55

Tiranë – Operacionet nga ajri për shuarjen e flakëve të zjarreve janë përqendruar në Parkun Kombëtar të Lurës, kur një avion “Kanader” turk prej mëngjesit të sotëm, është angazhuar për normalizimin e situatës së krijuar  atje.

Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile në ministrinë e Brendshme, Alfred Olli, tha të shtunën se “prej mëngjesit të sotëm, një avion “Kanader” turk është angazhuar në operacionin për shuarjen e vatrave të zjarrit në një prej Parqeve më të mëdha dhe më të rëndësishëm në vend, atë të  Lurës, operacion i cili do të vazhdojë deri në normalizimin e situatës atje”.

Duke vlerësuar të rëndësishëm bashkëpunimin me shërbimet homologe të vendeve fqinje, Olli tha se falë edhe  operacioneve nga ajri me avionët “Kanader” të Emergjencave Civile italiane, apo atyre turke, situata e zjarreve sot paraqitet më pak problematike në krahasim me atë të një dite më parë, kur gjatë ditës së djeshme ishin të aktivizuara mbi 10 vatra zjarresh, sot kemi 4 të tilla.

Sipas kreut të Emergjencave,  problematike sot mbeten 2  vatra zjarri  aktive në Qarkun e Kukësit dhe 2 vatra në Gramsh të Elbasanit.

Disa nga zjarret më problematikë gjatë ditës së djeshme Olli përmendi atë të rënë në masivin pyjor të Pishë Poros, një pyll me përmasa mjaft të mëdha, si dhe një zjarr mjaft problematik,  disa vatra zjarresh në masivin e Moravës në rrethin e Devollit, flakët e të cilit përfshinë  pyjet e dendura atje, zjarrin e rënë në Parkun e Lurës, si dhe zjarret e rëna në disa komuna të qarkut të Kukësit.

Ndonëse ende zjarret vazhdojnë të jenë prezente në zonat e mësipërme, Olli tha se situata është nën kontroll, falë bashkëpunimit me burime logjistike dhe njerëzore të shërbimeve të Emergjencave Civile,  Policisë së Shtetit, Ushtrisë dhe Shërbimit Pyjor.

Olli përmendi edhe bashkëpunimin me Pushtetin Vendor në zonat e përfshira nga zjarret, kur në shumicën e rasteve ai ka qenë frytdhënës, ndërkohë që ai tha se ka patur edhe mosangazhim të strukturave vendore në zonat e përfshira nga zjarret.