Lajme Shqip Saturday, 10 December 2011 18:00

Tiranë – Bashkia e Tiranës po punon me Ministrinë e Transporteve, për  të përcaktuar gjurmët se ku do të vazhdojë ndërtimi i segmentit të parë të unazës së madhe të qytetit, trajektorja e së cilës nis nga Selita dhe përfundon në Sauk, aty ku nis dhe autostrada e re, Tiranë-Elbasan.

Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, tha se “po punojmë me Bashkinë e Tiranës, për të përcaktuar gjurmët se ku do të vazhdojë unaza, nga pjesa ku bashkohet me rrugën e vjetër të Elbasnit, në drejtim të zonës së Liqenit  të Farks, për të dalë te zona e Rrapit të Treshit. Kemi përcaktuar gjurmët dhe puna do të fillojë shumë shpejt me projektin”.

Sipas Olldashit, punimet në segmentin e parë të unazës së madhe “po ecin shumë mirë.

Ky segment, qe është në vazhdim e sipër ka çliruar pak zonën lindore të Tiranës nga trafiku i rëndë. Aty vijojnë punimet intensivisht me synimin që në pranverë punimet të mbyllen dhe segmenti të jetë tërësisht funksional”.

Ky segment, tha Olldashi, jo vetëm që do të liroj trafikun e rënduar në qendër të Tiranës, por do të jetë pikënisja e projektit madhor të qeverisë, pra ndërtimin e Boshtit qendror dhe jugor.

Segmenti i unazës së re është konceptuar si një autostradë, me një gjatësi prej 3.2 kilometrash dhe gjerësi 24 metrash, brenda së cilave janë menduar të ndërtohen 6 korsi, si dhe mbikalime dhe nënkalime, sipas standardeve evropiane.

Unaza e madhe dhe rruga e re Tiranë-Elbasan, janë pjesë e projektit madhor për ndërtimin e Boshtit qendror jugor, pra atij që do të lidhë kryeqytetin me jug-lindjen e vendit.

Sipas projektit të bashkisë, Unaza e madhe e Tiranës do të kalojë në dy segmente kryesore. Segmenti i parë do të ketë trajektoren “Babrru – Bregu i Lumit – Kthesa e Kazmës”. Ky segment do të ketë një shtrirje prej 6.5 kilometrash, me 8 korsi, ku do të përfshihet edhe një korsi e veçantë për mjetet e transportit publik dhe të emergjencës.

Ndërsa segmenti i dytë i Unazës, ndërtimi i të cilës ka filluar në mars të këtij viti, ka një gjatësi prej 5,228 kilometra dhe është projektuar të kalojë në zonën e Selitës, pranë kopshtit Botanik dhe Zoologjik, në kodrat mbrapa Parkut të Madh të Tiranës, në kodrat e Saukut dhe lidhet me rrugën e Elbasanit pranë Akademisë së Rendit Publik.

Në pjesën e parë të saj, në zonën e Selitës deri tek Parku i Madh, rruga përshkon një zonë urbane me dendësi ndërtimesh, të cilat kryesisht janë të ulëta dhe në një zonë me mungesa në infrastrukturën nëntokësore. Pjesa tjetër e Unazës së Madhe kalon në zonën kodrinore mbi kodrat e Liqenit artificial dhe kodrat e Saukut.

Nga studimet e kryera, rruga e re parashikohet që të përballojë një trafik me mbi 20 mijë makina në ditë, që në momentin e parë të funksionimit të saj dhe duke llogaritur rritjen e vazhdueshme të trafikut, kjo rrugë parashikohet që në vitin 2013 të përballojë një trafik prej 38 mijë makinash në ditë.