Lajme Shqip Thursday, 01 September 2011 16:12

Tiranë – Segmenti i unazës së madhe të Tiranës, trajektorja e së cilës nis nga Selita dhe përfundon në Sauk, aty ku nis dhe autostrada e re Tiranë-Elbasan, u inspektua sot nga Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, i cili u shpreh tepër optimist për ecurinë e punimeve.

“Edhe pse kemi hasur probleme në lidhje me shpronësimet, përsëri ecuria e punimeve është sipas pritshmërisë çka na bën të mendojmë se kjo vepër infrastrukturore do të përfundojë brenda afatit të paracaktuar, pra brenda një viti”, tha Olldashi, i cili përfitoi nga rasti për të falënderuar dhe Bashkinë e kryeqytetit, që muajt e fundit ka treguar një interesim dhe kujdes të veçantë për këtë projekt, duke dhënë dhe kontributin e saj në ecurinë e punimeve, çka tregon rëndësinë që ka unaza e madhe për zhvillimin e kryeqytetit.

Ministri i Transportit tha se ky segment, jo vetëm që do të liroj trafikun e rënduar në qendër të Tiranës, por do të jetë pikënisja e projektit madhor të qeverisë, pra ndërtimin e Boshtit qendror dhe jugor.

Ndërkohë, nëndrejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, Skënder Çota i cili shoqëroi Olldashin gjatë inspektimeve, sqaroi se “ky segment i unazës së re është konceptuar si një autostradë, me një gjatësi prej 3.2 kilometrash dhe gjerësi 24 metrash, brenda së cilave janë menduar të ndërtohen 6 korsi, si dhe mbikalime dhe nënkalime, sipas standardeve evropiane”.

Inspektimi i ditës së sotme përgjatë segmentit të unazës së madhe vjen pas atij të kryer në tunelin, që do të lidhë Tiranën me Elbasanin. Pikërisht këto dy segmente, Unaza e madhe dhe rruga e re Tiranë-Elbasan, janë pjesë e projektit madhor për ndërtimin e Boshtit qendror jugor, pra atij që do të lidhë kryeqytetin me jug-lindjen e vendit.

Sipas projektit të bashkisë, Unaza e madhe e Tiranës do të kalojë në dy segmente kryesore. Segmenti i parë do të ketë trajektoren “Babrru – Bregu i Lumit – Kthesa e Kazmës”. Ky segment do të ketë një shtrirje prej 6.5 kilometrash, me 8 korsi, ku do të përfshihet edhe një korsi e veçantë për mjetet e transportit publik dhe të emergjencës.

Ndërsa segmenti i dytë i Unazës, ndërtimi i të cilës ka filluar në mars të këtij viti ka një gjatësi prej 5,228 kilometra dhe është projektuar të kalojë në zonën e Selitës, pranë kopshtit Botanik dhe Zoologjik, në kodrat mbrapa Parkut të Madh të Tiranës, në kodrat e Saukut dhe lidhet me rrugën e Elbasanit pranë Akademisë së Rendit Publik.

Në pjesën e parë të saj, në zonën e Selitës deri tek Parku i Madh, rruga përshkon një zonë urbane me dendësi ndërtimesh, të cilat kryesisht janë të ulëta dhe në një zonë me mungesa në infrastrukturën nëntokësore. Pjesa tjetër e Unazës së Madhe kalon në zonën kodrinore mbi kodrat e Liqenit artificial dhe kodrat e Saukut.

Nga studimet e kryera, rruga e re parashikohet që të përballojë një trafik me mbi 20 mijë makina në ditë, që në momentin e parë të funksionimit të saj dhe duke llogaritur rritjen e vazhdueshme të trafikut, kjo rrugë parashikohet që në vitin 2013 të përballojë një trafik prej 38 mijë makinash në ditë.