Lajme Shqip Thursday, 10 November 2011 13:40

Tiranë – Kuvendi miratoi sot me votat e deputetëve të maxhorancës dhe opozitës ratifikimin e një marrëveshje ndihme me qeverinë e SHBA-së “për një qeverisje të drejtë dhe demokratike”, si dhe disa ndryshime në ligjin “Për autoritetin e aviacionit civil”.

Ministri i Transporteve Sokol Olldashi tha se me ndryshimet e propozuara, në konsulencë dhe me Bashkimin Europian, Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC) merr një pavarësi thuajse të plotë. Sipas tij, “AAC sot ka kompetenca të plota edhe në miratimin e rregulloreve teknike, ku nuk duhet të ndërhyjë politkbërja e qeverisë, si dhe në hartimin e buxheteve të brendshme”.

Në seancën e sotme Kuvendi miratoi propozimet e kryetarit të grupit parlamentar socialist për disa ndryshime në komisionet parlamentare. Deputeti Ditmir Bushati do të zërë vendin e Ermelinda Meksit si kryetar i komisionit parlamentar të Integrimit. Deputeti Marko Bello do të kalojë nga komisioni parlamentar i Medias në komisionin e Integrimit, ndërsa deputetja Paulina Hoxha do të zëvendësojë Bellon në këtë komision.