Lajme Shqip Sunday, 04 September 2011 19:43

Tiranë – Punimet në superstradën Levan-Tepelenë, që financohet nga BEI dhe BERZH, pritet të përfundojnë në pranverën e vitit 2012.

Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, i cili inspektoi punimet në superstradën Levan-Tepelenë tha se punimet kanë avancuar mirë dhe kanë hyrë tashmë në fazën e asfaltimit intensiv.

Superstrada është e ndarë në dy lote dhe bën pjesë në korridorin veri-jug. Në lotin e parë Levan-Damës, kanë përfunduar mbi 60 % e punimeve dhe janë asfaltuar tashmë 20 kiliometra, nga 38 gjithsej që është ky lot. Në lotin e dytë, Damës- Tepelenë, me gjatësi 32 kiliometra, janë asfaltuar 15 km.

“Jemi në një nga pikat më kritike të këtij projekti, konkretisht segmenti që gjendet mbi lumin Vjosë. Është një segment shumë i vështirë sepse rruga nuk ka formën e një rruge tradicionale apo të një urë tradicionale. Aktualisht jemi në një ballkon mbi lumin Vjosa, 8 m të gjerë dhe jemi të detyruar të bëjmë punime shumë specifike, për të bërë të mundur zgjerimin e rrugës, për shkak se terrenit nuk lejon mënyrë tjetër të ekzekutimit të punimeve”, është shprehur ministri Olldashi.

Ai theksoi se në të gjithë gjatësinë e rrugës po vazhdojnë punimet për asfaltimin dhe deri tani ka përfunduar asfaltimi i 36 kilometrave, ose gati gjysma e rrugës.

“Me ecurinë e tanishme sezoni i ardhshëm do t’a gjejë këtë rrugë në operim, në të gjithë gjatësinë nga rrethrotullimi i segmentit të Levanit deri në Tepelenë, duke i dhënë një mundësi shumë të mirë trafikut për të gjithë zonën jugore të vendit”, theksoi kreu i MPPT-së, Olldashi.