Lajme Shqip Wednesday, 07 September 2011 19:01

Tiranë – Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, ka dorëzuar një kallëzim penal, kundrejt ndërtuesit dhe botuesit, Irfan Hysenbelliu, pronar i gazetës “Panorama” dhe i grupit “Fokus” ku bën pjesë “Gazeta Shqiptare” dhe “Neës 24”, me akuzën, “shpifje për shkak të detyrës”, si dhe i është drejtuar gjykatës së Tiranës, për ta akuzuar atë, me akuzën “dëm jo pasuror kundrejt imazhit të ministrit”.

Olldashi, argumentoi sot këtë vendim, gjatë një konference për shtyp,  duke thënë se “në datën 5 shtator, Inspektorati Kombëtar Urbanistik, ndërmori një kontroll rutinë, për të kontrolluar ligjshmërinë e ndërtimeve që po zhvilloheshin në territorin e komunës Dajç.

Ndër konstatimet e këtij kontrolli rutinë të INUK, ishin disa ndërtime që kryheshin jashtë kushteve ligjore dhe për të cilat u ndoq procedura që ndiqet gjithnjë, pra u mbajt proces verbali përkatës në përputhje me ligjin e inspektimit që i përmbahet inspektorati.

Sipas Olldashit, “një ndër këto ndërtesa, ishte dhe një pallati i sapo nisur, brenda një territori që nuk figuron as në vijën e verdhë të bashkisë Tiranë, as në atë të  komunës Dajç, por që ishte pozicionuar në një tokë bujqësore, për të cilën nuk ka një plan rregullues apo studim pjesor. Ky pallat i përket grupit “Egnatia”, që është  100% në pronësi të z. Irfan Hysenbelliu .

Olldashi shprehet se menjëherë në vijim të datës 5, kur INUK kreu detyrën e caktuar nga ligji, media në posedim të Hysenbelliut, ka nisur një fushat demigruese, shpifjeje kundër tij, të cilën ministri e konsideroi si një shantazh.

Olldashi theksoi se, ” kjo fushatë e shpifjeve, e cila më shumë i ngjan një shantazhi, nuk ka asnjë shans të funskjonojë dhe nuk do të ndodhë asnjëherë që me deklarata të tilla demigruese të cenohet institucioni i Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit dhe institucioneve në varësi të tij”.

“Do vazhdojë të kërkoj nga  të gjitha hallkat e kësaj ministrie respektimin e ligjit, për sa kohë maxhoranca dhe kryeministri do vazhdojnë të më besojnë këtë detyrë. Do vazhdoj të respektoj rigorozisht ligjin, ashtu siç do bëj dhe me zhvillimet e sapo përmendura”. theksoi Olldashi, duke njoftuar vendimin për të bërë kallëzim penal kundrejt Irfan Hysenbelliut.

“Si fillim, i kam dërguar një letër Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, që të fillojë një hetim për gjithçka thuhet për mua. Së dyti kam dorëzuar kallëzim penal, kundrejt ndërtuesit  dhe botuesit Irfan Hysenbelliu për shpifje për shkak të detyrës dhe së treti i jam drejtuar gjykatës së Tiranës, për dëm jo pasuror kundrejt imazhit tim”, përfundoi Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi.