Lajme Shqip Wednesday, 03 October 2012 16:22

TIRANË – Ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi  tha se prapa gjoja skandalit të reklamave qeveritare fshihen interesa ekonomikë shumë të ngushta të dy personazheve, të Koço Kokëdhimës dhe Besnik Sulës.

Në një konferencë për shtyp, Olldashi solli një panoramë të shpërndarjes së njoftimeve dhe spoteve televizive nga Edi Rama, në kohën kur ky i fundit ka qenë në krye të Bashkisë së Tiranës.

Ai tha se njoftimet e tij, Rama i ka publikuar vetëm në gazeta klientësh, spotet në televizionet klintëve të tij apo të kontrolluar politikisht, prodhimin e ka bërë në tri kompani që kanë një pronar, dhe më pas i ka transeruar nga këto kompani tek motra e këshilltarit të tij, Juela Mazniku Shamku.

Gazeta e partisë, siç e quajti Olldashi, gazetën Shekulli,  në 5 vite ka marrë nga Bashkia e Ramës, 98 milionë lek.  Në këtë llogari shtoi më tej Olldashi, nuk janë përfshirë 1 miliard e 247 milionë lek, detyrime fiskale të Kokëdhimës të fshira nga regjistri fiskal i Bashkisë.

Spotet në 2005 janë bërë nga Delta Publicity dhe MC Monitoring, po ti referohemi regjistrave të QKR-së kemi të njëjtat kompani, brenda tyre qëndron Edi Muka, i afërt me Edi Ramën, po kështu ka ndodhur edhe në 2006, vazhdoi Olldashi, ku të njëtat kompani kanë përfituar edhe prodhimin edhe transmetimin.

Në vitin 2007 janë plot 120 milionë lekë spote, theksoi Olldashi, një vit elektoral, ku sipas tij, Rama i ka shpërndarë spotet në tre televizione, Vizion Plus, News 24 me pronarë grupin EDISUD dhe  Top Channel.

Në vitin 2009 janë kompanitë Universal Group, Unlimited Media dhe Universal Albania, që sipas QKR-së janë e njëjta gjë, më të njëjtin pronarë që kanë prodhuar dhe transmetuar spotet. Po në 2009 edhe 2010, spotet i kanë kaluar një personi që quhet,  Juela Mazniku Shamku, motra e këshilltarit të Ramës.

Olldashi sqaroi se nën drejtimin e tij, ministria ka dhënë dy spote, të dyja spotet janë ndarë në mënyrë të barabartë mes tre televizioneve kombëtare. Klan, TCH dhe TVSH. (LajmeShqip.com)