Lajme Shqip Thursday, 21 July 2011 11:57

Tiranë – Kosova dhe Shqipëria do të nënshkruajnë nesër në Prishtinë marrëveshjen mbi transportin ndërkombëtar rrugor të udhëtarëve dhe mallrave.

Marrëveshja mes qeverive të dy vendeve do të firmoset nga ministri i Punëve Publike dhe Transporteve të Republikës së Shqipërisë, Sokol Olldashi dhe ministri i Infrastrukturës të Republikës së Kosovës, Fehmi Mujota.

Dy ministrat, në takimin e tyre, sipas njoftimit nga ministria kosovare, do të bisedojnë për çështje të interesit të dyanshëm për të dy vendet në fushën e transportit dhe infrastrukturës dhe gjatë vizitës do të ndjekin nga afër punimet në trasenë e autostradës Vërmicë-Merdar, e cila është vazhdim i Rrugës së Kombit, të ndërtuar në Shqipëri nga Durrësi në Morin.