Lajme Shqip Saturday, 07 September 2013 15:08

Tiranë- Ka ditë që në media përflitet se Sokol Olldashi dhe Jozefina Topalli pritet të marrin poste të larta drejtuese në Partinë Demokratike, pavarësisht se janë parë si rivalë të kryetarit të ri, Lulzim Basha.

Kësaj here është Shqiptarja.com që shkruan se Olldashi mund të drejtojë grupin parlamentar të Partisë Demokratike.

Ndërkohë kryetarja aktuale e Kuvendit, Jozefina Topalli, mund të marrë postin e nënkryetares së Kuvendit.

Nëse votohen këta dy emra, i Olldashit dhe e Topallit, kjo do të sillte një përmirësim të marrëdhënieve mes të djathtëve pas mërive që kanë qenë për kohë të gjatë në këtë parti.

Gjithsesi kur mbeten edhe pak ditë për të konkretizuar emrin e drejtuesit të ri grupit parlamentar të PD, i cili do të zërë vendin e ish-kreut të grupit parlamentar Astrit Patozi, e djathta do të duhet që të vendosë edhe për nënkryetarët e grupit parlamentar.

Emrat më të përfolur janë ata të ish-ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, Aldo Bumçit apo dhe Edi Palokës. Kjo mbetet në dorë të deputetëve të djathtë, të cilët nën drejtimin e Bashës do të votojnë edhe drejtuesin e tyre në parlament./ep