Lajme Shqip Monday, 29 August 2011 11:01

Prishtinë – Është shtyrë për nesër takimi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e paraparë për sot, në të cilën do të shqyrtohet raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB,  Ban Ki-Moon, për gjendjen në Kosovë.

Takimi u shty për shkak të çrregullimeve që shkaktoi uragani Irene në New York dhe kushteve të papërshtatshme, si pasojë e tij, për mbajtjen e mbledhjes në ambientet e OKB-së.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mblidhet nesër në seancë të rregullt për Kosovën, për të shqyrtuar raportin më të ri për gjendjen në Kosovë të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.

Ban Ki-Moon në raportin e rregullt për Kosovën fton të gjitha palët që të përmbahen nga hapat e njëanshëm, të cilët mund të rrezikojnë përparimin e arritur në dialogun Kosovë-Serbi dhe ka apeluar që të mos ketë më ngritje të tensioneve.
Kosova në Këshillin e Sigurimit do të përfaqësohet nga shefi i diplomacisë Enver Hoxhaj, ndërsa Serbia nga ministri i Punëve të Jashtme Vuk Jeremiq.

Në këtë seancë për herë të parë si përfaqësues i UNMIK-ut pritet të marrë pjesë shefi i ri i këtij misioni, diplomati afgan Farid Zarif. (LajmeShqip.com)